Politike

Ethet e referendumit të fqinjit verior të Greqisë

Nga Aleksandër Marku - Për shekuj me radhë Ballkani është konsideruar, dhe jo pa të drejtë, si një "fuçi baruti". Një rajon me probleme të mëdha. Që edhe kur zgjidhte ndonjë prej tyre, prodhonte dhjetëra të tjera. Një rajon ku fjala fqinjësi e mirë, kurrë nuk ka pasur kuptimin e vërtetë. Por ka pasur luftra, konfrontime, sfida, pretendime tokësore dhe në ditët e sotme, një baule të madhe të trashëguar nga e kaluara, me probleme thuajse të pazgjithshme.

Por në një periudhë kur Europa dhe Perëndimi kuptuan se në se do të qëndronin ende të distancuar nga ky rajon dhe popujt e tij, duke vendosur madje edhe murre të lartë pengesash, situata do të dilte nga kontrolli, tashmë kemi një turmë liderash dhe politikanësh nga veriu e deri në jug të kontinentit plak ,madje dhe përtej Atlantikut, që përpiqen të fitojnë, jo vetëm kohën e humbur, por edhe të ndalojnë influencat e rrezikshme sipas tyre, të kundërshtarëve të tyre nga Lindja, që gjetën rastin dhe kanë vite që duan ta bëjnë të vetin, këtë gadishull problematik.

Në këtë aspekt edhe referendumi në IRJM merr një kuptim të rëndësishëm dhe jetik pasi kërkon të zgjidhë një çështje që thuhet se është 26 vjeçare, por  që ka shumë vite që endet në politikën ballkanase. Që ka fillesën qysh me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe krijimin e Jugosllavisë dhe që morri kuptimin e një konflikti me shpërbërjen e saj në fillim të viteve 90.

Ethet e këtij referendumi kanë zaptuar jo vetëm partinë e Zoran Zaevit dhe partitë shqiptare përkrahëse të tij. Pa dyshim që për të, miratimi i referendumit do të ishte, përveç një mbijetesë politike edhe një shpresë që ky shtet multietnik ti shpëtonte shkatërrimit. Marrëveshja e Prespës disa muaj më parë i dha atij shpresën se Ish Republika Jugosllave me një emër të ri të pranueshëm edhe nga Greqia, do të kishte vendin e saj në NATO dhe më pas në BE. Ndaj dhe fushata për të ndërgjegjësuar bashkëqytetarët e tij dhe për ti ftuar ata të votojnë, ndodhet në pikën e saj më kulmore.

Por nga ana tjetër edhe në Athinë ethet kanë pushtuar të gjitha palët dhe prodhojnë konflikte politike të ndryshme, duke u bërë madje shkak edhe për një krizë qeveritare. Partia në pushtet SYRIZA vërtet që ka pranuar marrëveshjen e Prespës , por aleatët e saj në qeveri, "Grekët e Pavarur", deklarojnë se në se kjo marrëveshje vjen në paralament, ata jo vetëm nuk do e mbështesin, por edhe do të tërhiqen nga qeveria.

Greqia dhe Maqedonia firmosin marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit

Kjo do ti  jepte fund shumicës që zotëron Tsipras në parlament dhe do të shkaktonte zgjedhje të parakohëshme, megjithëse ka edhe forca brenda partive të tjera opozitare që mund ta votojnë marrëveshjen e Prespës, kur ajo të vijë për ratifikim në sallën e parlamentit. Në një takim të fundit të tyre Tsipras dhe lideri i Grekëve të Pavarur, njëkohësisht ministër I Mbrojtjes Panos Kammenos ranë dakord të bisedojnë përsëri për këtë çështje në marsin që vjen.

Ndërsa nga ana tjetër konservatorët e Mitsotakit, jo vetëm ruajnë fort pozicionimin e tyre ,por quajnë Tsiprën, ministrin e Jashtëm Kotzias dhe në përgjithësi të Majtët e SYRIZËS, si politikanë që po shesin historinë e Maqedonisë së lashtë. "Ne konservatorët nuk do të votojmë për ratifikim kur marrëveshja do të vijë në Kuvendin e Greqisë"- i ka thënë Kyriakos Mitsotakis ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Maas në vizitën e tij në Athinë para disa ditësh.

Kokëçarjet e fundit të Athinës

Ndërsa politika dhe opinioni publik grek ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në shtetin fqinj ,fundjava solli për ta disa "kokëçarje" jo të vogla. Pas vizitës në SHBA dhe Kanada, Zoran Zaev në një intervistë të tij për agjencinë e lajmeve "MIA" bën një deklaratë që shkakton tërmet politik në Athinë.

"Nuk ka Maqedoni tjetër, përveç kësaj tonës. Pjesa veriore e Greqisë është Greqia, pjesa perëndimore e Bullgarisë është Bullgaria. Nuk ka tjetër Maqedoni në botë"- thuhej në një pjesë të intervistës e cila pas reagimit të fuqishëm që shkaktoi në Greqi, u hoq nga vetë agjencia që tha se ishte bërë një përkthim i gabuar. Pak më vonë u publikua pjesa e saktë ku Zaev thotë : "E ndaj shqetësimin me njerëzit tanë nga diaspora se mbiemri "verior" në emër nuk pranohet lehtë. Të gjithë e dimë që sot, një pjesë nga rajoni gjeografik i Maqedonisë gjendet në Greqi, një pjesë në Bullgari, ndërsa pjesa veriore në shtetin tonë. Dhe askush më nuk do ta mohojë këtë Maqedoni tonë. Ne me mbiemrin “Veriore” bëjmë përkufizim dhe konfirmojmë se ka rajone të cilat gjenden në Bullgari dhe Greqi e quhen Maqedoni".

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev

Por edhe pas një mesazhi mbështetës të presidentit francez Macron ,një tweet i Zaevit përkthehet tepër ndryshe dhe shkakton përsëri dyzime, mosbesim dhe shqetësim në Greqi. "Dhe Pens dhe Macron na garantuan se kemi një shtet, një komb maqedonas, një gjuhë maqedonase"- lexohet tek përkthimi që bëjnë dhjetëra portale greke, edhe ato më serioze, ndërsa përkthimi i saktë është – "kemi shtet, komb maqedonas dhe gjuhe maqedonase".

Analistë të shumtë vendas përballë disa deklaratave tepër kurajoze të Zaevit komentojnë se ndoshta ai i ndodhur nën presion për të kaluar referendumin, tejkalon fillin dhe shkon përtej atyre që parashikon marrëveshja e Prespës që kanë nënshkruar dy vendet, ku bëhet e qartë deri në hollësitë më të vogla, se cila është Maqedonia e lashtë, historia, gjuha, emërtimet e sotme e deri tek emërtimet tregëtare. Por reagimet nuk janë shuar dhe do të vazhdojnë për shumë kohë.

Thuajse shumica e grekëve që jetojnë në krahinën veriore të vendit që quhet Maqedoni, nuk pranojnë dhe kundërshtojnë marrëveshjen e Prespës duke cilësuar madje se me këtë marrëveshje i dhurohet një pjesë e historisë një populli që nuk ka asnjë lidhje me Aleksandrin  e Madh dhe Maqedoninë e tij. Majde përveç emrit "Maqedonia e Veriut", i shqetëson edhe fakti se gjuha e folur në shtetin fqinj do të quhet "gjuha maqedonase". Dhe të shumta janë mediat që akuzojnë Zoran Zaevin se përdor  fjalën komb në vend të fjalës popull, kur nuk ekziston në vetvete një komb maqedonas. Madje i konsiderojnë të rrezikshme referencat e tij pasi me këtë mënyrë duket sikur nuk merr parasysh kombësitë e tjera në shtetin e tij. Si ajo shqiptare me më shumë se 30% të popullsisë, 200.000 bashkëqytetarët e tij që morrën nënshtetësi bullgare , gati 100.000 turq dhe 50.000 serbë. "Për kë popull maqedonas bën fjalë Zaevi" ?  –pyesin mediat greke.

Bojkotim i zgjedhjeve nga opozita?

Kreyeministri grek, Alexis Tspiras dhe Panos Kammenos

Pika kyçe në referendumin e 30 shtatorit do të jetë padyshim pjesmarrja. Zaev kërkon me patjetër që mbi 50% e qytetarëve të votojnë në mënyrë që referendumi i tij të ketë vërtet një fuqi politike duke i dhënë atij të drejtën për ta çuar më pas në parlament marrëveshjen për ratifikim.  Por presidenti i vendit Gjorge Ivanov nga Nju Jorku deklaroi vendimin e tij për të mos votuar duke theksuar se bëhet fjalë për një referendum antikushtetues që dëmtonm interesat e vendit.

Edhe lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE Mickoski deklaroi së fundmi se vendi i tij humb identitetin institucional si pjesë integrale e identitetit kombëtar. "Nuk do të kemi më Akademi Maqedonase të Arteve dhe Shkencave, nuk do të kemi Ushtri Maqedonase, apo Polici Maqedonase. E gjithë kjo do të lidhet me shtetin e ri, të quajtur Maqedonia Veriore" – thekson ai.

Pikat kryesore të marrëveshjes së Prespës

1.Emri zyrtar i IRJM do të jetë "Republika e Maqedonisë Veriore",  i cili do të jetë emri kushtetues dhe do të përdoret "erga omnes", d.m.th si brenda dhe jashtë vendit, siç parashikohet në marrëveshje. Emri i shkurtër do të jetë "Maqedonia Veriore".

2. Nënshtetësia do të jetë "maqedonas / qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore"  dhe do të shkruhet në të gjitha dokumentet e udhëtimit.

Kreu i Demokracise se Re,  Kyriakos Mitsotakis

3. Gjuha zyrtare do të jetë "gjuha maqedonase", siç njihet nga Konferenca e Tretë e Kombeve të Bashkuara në standardizimin e emrave gjeografikë e mbajtur në Athinë në vitin 1977 dhe siç është përshkruar në nenin 7, paragrafi  (3) dhe (4) i kësaj marrëveshjeje.

4. Termat "Maqedoni" dhe "Maqedonase" kanë kuptimin që u jepet sipas Nenit 7 të marrëveshjes.

5. Kodet e vendit për targat e makinave do të jenë NM dhe NMK. Për të gjitha qëllimet e tjera, kodet e vendit mbeten MK dhe MKD, siç atribuohet zyrtarisht nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizimin.

Neni 7 i Marrëveshjes thotë se:

  • 1. Palët pranojnë se kuptimi reciprok i termave "Maqedoni" dhe "Maqedonas" i referohet një konteksti të ndryshëm historik dhe trashëgimisë historike.
  • 2. Për sa i përket Greqisë, me këto terma nënkuptohen jo vetëm zona dhe popullsia e Greqisë veriore ,por dhe karakteristikat e tyre, si dhe civilizimi grek, kultura, historia dhe trashëgimia e kësaj zone  nga kohët e lashta deri më sot .
  • 3. Përsa i përket IRJM, me këto terma nënkuptohen territori, gjuha, popullsia dhe karakteristikat e tyre, me historinë e tyre, kulturën dhe trashëgiminë, që janë tepër të dukshme dhe të veçuara nga ato që përmenden në paragrafin e mësipërm (neni 7.2)
  • 4. IRJM vëren se gjuha e saj zyrtare, gjuha maqedonase, i përket grupit të gjuhëve të sllavëve të jugut. Gjithashtu, të dy palët theksojnë se gjuha dhe karakteristikat e tjera zyrtare të IRJM nuk kanë të bëjnë me civilizimin e lashtë grek , me kulturën, historinë dhe trashëgiminë e zonës veriore të Greqisë.

Në nenin 2 të Marrëveshjes parashikohet se Greqia nuk do të kundërshtojë integrimin  e fqinjit nën emrin e ri dhe terminologjive në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, shumëpalëshe dhe rajonale në të cilat Greqia është anëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë