Numri i personave të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor në Europën Jugore po rritet.
Për këtë arsye, Ministria e Jashtme gjermane ka përditësuar këshillat e udhëtimit për disa vende të Europës Jugore dhe ka treguar mënyrat më të mira për t’u mbrojtur nga infeksioni.
Në këshillat e udhëtimit për Italinë, Francën, Spanjën, Austrinë, Hungarinë, Shqipërinë, Qipron, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, Ministria e Jashtme gjermane paralajmëron për shpërthime sezonale të etheve të Nilit Perëndimor.
Udhëtarëve u këshillohet që të mbrohen veçanërisht gjatë ditës dhe në orët e muzgut nga pickimet e mushkonjave.
Mbrojtja më e mirë arrihet me përdorimin e preparateve kundër insekteve për lëkurën, të cilat përmbajnë DEET (dietiltoluamid) ose Icaridin. Gjithashtu ndihmojnë rrobat e gjata dhe me ngjyra të çelëta, të cilat idealisht duhet të jenë trajtuar më parë me preparate kundër insekteve.
Ethet e Nilit Perëndimor janë një sëmundje virale që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave.
Në shumicën e rasteve infeksioni nuk shkakton simptoma. Sipas Institutit Robert Koch, rreth 20 për qind e të infektuarve zhvillojnë një sëmundje me temperaturë dhe simptoma të ngjashme me gripin, e cila zgjat rreth 3 deri në 6 ditë.
Në raste të rralla mund të zhvillohet një inflamacion i trurit (encefalit). Vetëm rreth 1 në 100 persona të infektuar sëmuret rëndë me formën neuroinvazive të sëmundjes. Kjo formë, në rastet më të rënda, mund të jetë edhe fatale.
Aktualisht nuk ekziston vaksinë kundër etheve të Nilit Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje