Editorial

Është protesta e të pamundurve

Prej dy ditësh, Edi Rama ka marrë flamurin e protestuesit, duke zënë pothuajse të gjithë hapësirën televizive dhe atë të debatit, duke u lënë studentëve e protestuesve të tjerë, me apo pa flamur partie, vetëm një trip të vogël të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara zyrës së tij. Pasi kërkoi të kthehej në student, pasi u bë objekt humor si instagramist, pasi e rrethoi, bombardoi me propagandë, ndau dhe përçau politikisht protestën me “Doktoreshë Monën”, “Artist Lulin” dhe “Marksist Qorrin”, së fundi, nga kryeministër nën akuzë për sistemin e mjerë në të cilin ndodhet arsimi në Shqipëri, Edi Rama tani po kërkon të kthehet në liderin e protestës më të dëlirë ndaj sistemit, pjesë e të cilit ai ka qenë për dy dekada dhe në të cilin, është vetë në krye prej pesë vitesh. Në pamje të parë ky duket një nonsens politik, por pikërisht tek nonsensi Edi Rama ka ndërtuar karrierën e tij, që në fillimet e veta në politikë. Erdhi në qeverinë e Fatos Nanos duke ndryshuar fasadën e Ministrisë së Kulturës, duke i dhënë pak ngjyrë dhe shpresë njerëzve të pamësuar edhe me minimumin e estetikës në një sistemi hibrid komunisto-autoritaristo-demokratik. Fitoi Bashkinë e Tiranës në vitin 2000 duke ngjyrosur katër ministri në një kryeqytet plot gropa dhe ngjyra zymtësie, edhe në ditët plot diell të pranverës dhe verës. Ndërtoi imazhin e një punëtori të palodhur si kryetar i Tiranës, fitoi Partinë Socialiste në ditën e saj më të zezë në vjeshtën e 2005-ës, si njeriu që do t’i kthente shpejt në pushtet, duke vënë në kontrast Bashkinë e tij të mbështetur me vota të majta me qeverinë socialiste të trekryeministrave; Nano, Majko e Meta. Ndër vite, Edi Rama ka kuptuar se si mund të jesh trendy për rininë, i dashur për masat, i votuar në elektorat me pak mund dhe shumë lustër, pjesë e sistemit, por gjithmonë duke dhënë idenë se e kundërshton atë, duke qenë pjesë e pushtetit, por asnjëherë përgjegjës për dështimet e pushtetit. Gjithmonë problemi ka qëndruar te kryeministri i radhës, tek degjenerimi i Fatos Nanos, pamundësia e Majkos, gjithë faji i Saliut, tepsia e Metës.
Për 19 vite radhazi. Deri vjet. Prej një viti, Edi Rama ka vetë në dorë, edhe timonin, edhe tepsinë. Nuk ka asnjë pasagjer në autobus që t’i tërheqë vëmendjen shoferit, asnjë të paftuar në sofër që t’i çukisë tepsinë.Gjatë këtij viti qeveria, domethënë Kryeministri, duke pasur duart e lira nga aleatët e bezdisshëm që kërkojnë vetëm pjesë pushteti, me mazhorancën e nevojshme për të miratuar çdo gjë në parlament, ka bërë gjithçka ka dashur, si projekti për një teatër të ri kombëtar, por me disa qindra milionë euro kulla në zemër të Tiranës, skandali që po ndjek tenderin për projektin 40 milionësh të Unazës së Re, apo atë të Operatorit të Transmetimit të Energjisë Elektrike e kështu me radhë. Gjatë pesë viteve në pushtet, kjo qeveri dhe ky Kryeministër kanë marrë një numër vendimesh me pasoja te xhepat e qytetarëve shqiptarë, kanë rritur apo shtuar tarifa, kanë ndarë koncesione dhe PPP, kanë miratuar rrugë e shëtitore, të gjitha me fatura të shtrenjta, por që ose kanë dhënë impakt zero për familjet e mesme e të varfra, ose ende nuk ia ka parë njeri rezultatet, duke qenë se kanë mbetur akoma në videot 2 minutëshe 3D, të faqes së Kryeministrit, në Facebook. Ata që kanë përfituar deri tani janë një grusht njerëzish, gjithmonë të njëjtët, ata që rrinë te paradhoma e çdo kryeministri dhe që, në shumë raste shkruajnë vetë kapituj të paketës fiskale, te parazyra e çdo ministri Financash dhe që, tani po kapin edhe Bankën Qendrore, që përmes së cilës të hapin edhe Bankën e tyre ku të ruajnë paratë e tenderëve apo lehtësive fiskale, që marrin nga qeveria. Një pakicë njerëzish që kanë shtuar, në mënyrë të frikshme, pasurinë dhe influencën politike ndaj sistemit, që në krye ka Edi Ramën, por që tashmë kontrollohet prej tyre, për të mbajtur Edi Ramën në krye apo për të zgjedhur një Edi Ramë tjetër, pas tij.Në krahun tjetër, përshtypja e mbështetur nga të gjithë anketimet, sondazhet dhe ndjesitë është ajo e një shumice, edhe më të varfër se sa ishte pesë vjet më parë, që jeton me një grusht parash në muaj, pa asnjë shpresë dhe me dëshirën për të ikur nga ky vend. Një shumicë që besoi në mandatin e parë të Edi Ramës se gjërat do të ndryshonin, që besoi duke i dhënë mandatin e dytë që, i gjithë faji nuk ishte vetëm i Saliut, por edhe i tepsisë me Ilir Metën dhe që, ka humbur besimin sepse sheh kryeministrin që tepsinë po e ndan me të pasurit. Sheh që, ata kanë dhe këta nuk kanë. Në këta 15 muaj i vetëm, Edi Rama nuk ka marrë asnjë vendim që të lehtësojë peshën e halleve të 95 përqind të shqiptarëve, as edhe një të vetëm që të mbahet mend dhe të ketë me se të mburret. Përkundrazi, ka miratuar qindra milionë euro për gjithçka tjetër që, ka kërkuar 5 përqindëshi i të pasurve. Të varfërve u ka dhënë vetëm vizionin e fasonëve dhe call-centerave, por asnjë model zhvillimi afatmesëm, asnjë ide për një ekonomi konkurruese, asnjë shpresë për një jetë më të mirë nesër, këtyre të rinjve dhe familjeve të tyre.
Prandaj edhe po sillet si protestues së bashku me studentët, sepse përballë një proteste masive të mijëra të rinjve u ndje i vetëm, pa asnjë nga biznesmenët që ka mbështetur me mundësi për ta ndihmuar, i trazuar dhe në panik për një protestë që nuk mund ta kontrollojë, por ende i paqartë se çfarë përfaqëson ajo protestë. Kjo duket edhe në turin e tij të dialogut nëpër fakultete, ku po përballet jo vetëm me 8 pikat e shpallura botërisht të studentëve, as me 100 pikat që ai ka në mendje të shtojë, por me halle dhe probleme njerëzish, që jo vetëm nuk kanë se çfarë të paguajnë më, por nuk kanë se me se të jetojnë në shtëpitë e tyre, në çdo rreth, çdo qytet, në çdo fshat. Edi Rama nuk e ka kuptuar që kjo nuk është protestë për kushte më të mira në shkolla, në konvikte, për cilësi më të mirë në mësimdhënie. Kjo është një shfryrje e fëmijëve edhe për hallet e prindërve, vëllezërve dhe motrave në ditët e tyre të njëjta, të mjerueshme. Është protesta e njerëzve pa zë, qindra e mijëra familjeve që nuk u thonë dot të vegjëlve se, nuk i çojnë dot në shkollë, që duhet të punojnë për të mbajtur familjen se prindi nuk ka shpesh punë dhe as mundësi për të gjetur punë, se prindërit janë pensionistë dhe me pensione nuk kanë mundësi të blejnë ilaçe e të ushqehen si familje, se familja jetonte me ndihmën ekonomike të një prindi, të cilën Bashkia ia ka hequr se fëmija-student quhet i punësuar me 20 mijë lekë pagë, për të mbajtur veten në shkollë. Nëse vërtet Edi Rama e ka ndjerë shuplakën, duhet ta kishte kuptuar se kjo nuk është shuplaka e studentëve për ca gjëra të vogla në një sistem arsimor të dështuar, por shuplakë e gjithë shoqërisë për dështimin e të gjithë sistemit politik dhe ekonomik, përfaqësues i të cilit është Edi Rama. Fati i Edi Ramës sot është që përballë ka një opozitë të vjetër, që ka bërë atë që bën edhe ai, që nuk ngjall frymë e besim në popull, që nuk jep shpresë as brenda gardhit të partive të saj, jo më për shumicën e shoqërisë. Rreziku për Edi Ramën qëndron po pikërisht te mungesa e opozitës. Pakënaqësia në rritje deri në kufijtë e revoltës e një shoqërie të varfër, ku shumica sheh që pakica ka gjithçka, dhe vetë s’ka asgjë, mund të çojë në zhvillime të pakontrolluara jo vetëm për qeverinë, por për gjithë klasën politike. Revolucioni francez lindi nga pakënaqësia ekonomike e turmave të dëshpëruara, por i preu kokën mbretit dhe të gjithë monarkisë.

Bordi Editorial


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë