Futboll

Erzeni frenon Tiranën në ‘Air Albania’, dy lojtarë përfundojnë në spital në Korçë

Gazeta Si – Java e 23-të e Superiores luajti sot dy ndeshjet e fundit të saj, ku Tirana barazoi 1-1 me Erzenin, kurse Skënderbeu mundi 1-0 Kukësin. Kryeqytetasit kanë humbur 2 pikë të çmuara në një ndeshje që e kanë dominuar.

Tirana pati disa raste për shënim, por shpëtimtar u bë portieri Hasanbelli. Zeka heshti stadiumin ‘Air Albania’, duke shënuar golin e parë për Erzenin në minutën e 75-të. Skuadra e Ahmatajt barazoi me Abazajn, i cili devijoi me kokë një kros të Hoxhallarit. Pas këtij barazimi, Tirana mban vendin e 4-t me 34 pikë.

Skënderbeu mundi 1-0 Kukësin në Korçë, falë një goli të Rashicës, por vëmendjen pas kësaj ndeshjeje e mori një problem shëndetësor për dy futbollistë, Randi Dumfur i Skënderbeut dhe Kleandro Lleshi i Kukësit.

Që të dy këta lojtarë patën ethe dhe të dridhura pas ndeshjes. Stafet mjekësore në dhomat e zhveshjes u dhanë ndihmën e parë, më pas të dy u dërguan me autoambulancë në spitalin e Korçës. Kjo gjendje e lojtarë është shkaktuar nga temperaturat e ulëta, në të cilat u luajt ndeshja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë