Futboll

Ermal Meta shpërthen ndaj festës masive të Interit: Italia, republikë futbolli

Ermal Meta ka shfryrë në rrjetet sociale, duke kritikuar ashpër grumbullimin masiv të tifozëve të Interit, të cilët pushtuan sheshet e Milanos, duke festuar për titullin kampion në Serinë A. Këngëtari shqiptar është irrituar mjaft nga fakti që muzikantët nuk u lejuan për koncertin e madh të 1 majit, ndërsa tifozët nuk u ndaluan të grumbulloheshin.

Meta ka bërë dy postime në Twitter dhe Instagram, të dy të shoqëruar me një foto të festës së interistëve për titullin. Kantautori, i njohur si një tifoz i Napolit, ka shkruar: “Më 1 maj nuk u lejuan teknikët tanë, pavarësisht të gjitha kontrolleve. Kur u ktheva në Milano gjeta këtë pamje. Është shuëm e turpshme dhe besoj se nuk jam i vetmi që ndihem keq dhe i fyer".

Postimi tjetër i Ermal Metës në Instagram ishte ky: "Më 1 maj asnjë artist nuk mundi të jepte koncert për arsye “sigurie”. E pranuam të gjithë vendimin, pa diskutime. Por në Milano ndodhi kjo. Ju duket normale? Ku janë institucionet kur duhen, apo Italia është një republikë e bazuar te futbolli?"

Postimet e Metës kanë sjellë reagime nga më të ndryshmet në rrjetet sociale, shumë prej tyre kundër këngëtarit shqiptar, madje edhe me sharje dhe fyerje ndaj tij edhe për origjinën. Shumica e kësaj kategorie komentuesisht kuptohet që ishin tifozë të Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë