Politike

Erion Veliaj për herë të parë në SPAK: Dorëzoj dosjet, do jap çdo informacion për inceneratorët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ditët në  vijim ai do të paraqitet në SPAK. Veliaj nuk sqaroi nëse ka pasur fletëthirrje dhe për cfarë është thirrur konkretisht, por tha se nga ana e tij, ai ka bërë dosjet gati për t’i dorëzuar në SPAK. Veliaj tha se do të japë informacion edhe për inceneratorët

“…Unë besoj se marrëdhënia me SPAK-un nuk duhet të jetë vetëm reaktive, kur ata kërkojnë diçka, por mund të jetë edhe pro aktive. Zoti Dumani kishte të drejtë kur tha se institucionet duhet të jenë më pro aktive. Unë e kam marrë seriozisht këtë propozim dhe dua jo vetëm të vazhdojmë bashkëpunimin, por dua të jap më shumë informacione, edhe për të sqaruar çështjen e inceneratorëve, edhe për të shpjeguar pse disa media dhe disa gazetarë të influencuar nga politika ngatërrojnë letrën e Bankës Botërore me propozimin e pakërkuar. Kështu që, sa të pres që SPAK-u dhe institucionet e tjera, le të themi, me procedurat dhe vonesat e postës, ta bëjnë gjithë këtë komunikim, më mirë shkoj vetë, bëj një kronologji të gjithë këtyre situatave dhe mendoj se qasja proaktive na ndihmon të dyja palëve. Palën e bashkisë për aq sa ka, si një nga 5-6 klientët e inceneratorëve dhe për gjithë dijeninë që ka, edhe palës së SPAK-ut për të mos u vonuar me “erdhi posta, u vonua posta”, por për të pasur të gjithë informacionin e nevojshëm”, tha Veliaj në një interviste për Report Tv.

“Besoj, në ditët e ardhshme do të kemi një dakordësi për orarin, unë i kam bërë gati dosjet, gjithë kronologjinë, edhe të mënyrës sesi ne, si një nga 5 (fillimisht) dhe tani 6 bashkitë, jemi klientë të inceneratorit, por edhe ku është diferenca mes letrës së Bankës Botërore dhe asaj që është një ofertë e pa kërkuar, dhe sesi disa personazhe mundohen t’i ngatërrojnë të dyja, por është e pa ngatërrueshme, është shumë e qartë. Banka Botërore është aty, dëshmitarët janë aty, dhe them më mirë proaktiv dhe shkoj vetë, sesa të bëj atë që bëjnë disa skile në politikë, ku njëri fshihet pas konventës, tjetri fshihet pas ballkonit te shkolla ‘Kosova’, që janë sjellje të pahijshme për burrat. Por, unë besoj se kështu është ndarë kjo jetë: në ca njerëz që nuk kanë asnjë problem me integritetin e tyre, me dëshirën e tyre, me pasionin e tyre dhe me gjurmën që kanë lënë në këtë qytet dhe në vend, dhe në ca të tjerë që fshihen, njëri është me diarre, tjetri thotë është pa qejf për ‘Rrugën e Kombit’… po ata janë i njëjti stan, i njëjti bulmet… Them ‘stan me lepuj’ se nuk kanë minimumin e dinjitetit… gëzohen kur shahet Shqipëria dhe Tirana, e ndërkohë s’kanë pikën e burrnisë dhe inskenojnë drama të tipit “Përputhen” në familjen e tyre, me demek për të hequr vëmendjen nga dramat reale, që i kanë shkaktuar këtij vendi. Kjo është diferenca e madhe mes nesh dhe tyre…”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë