Treg

ERE po shqyrton vendosjen e një çmimi të ri për energjinë nga dielli dhe era

Nga Gazeta ‘SI’ - Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat e miratimit të një çmimi të ri blerje për energjinë fotovoltaike dhe eolike, bazuar në vlerat reale.

Deri më tani, çmimi i kësaj energjie ishte përllogaritur si një mesatare e çmimeve, e arsyeshme dhe për investimin. Por tani, me zhvillimin e energjisë nga era dhe dielli, ERE do ta përllogarisë atë me referenca të sakta dhe reale. Çmimi i ri do të jetë për fotovoltaikët me kapacitet të instaluar deri në 2MW dhe eolikët deri në 3MW.

Aktualisht çmimi i miratuar për energjinë që blihet nga shteti nga burimet fotovoltaike me kapacitet deri në 2MW është 71.2 euro/MWH ndërsa ai nga eolikët 75.64 euro/MWH.

Këto çmime kanë ardhur në rënie në raport me çmimet e miratuara në fillim nga Enti Rregullator i Energjisë kur për eolikët ishte 100 euro/MWh dhe për eolikët 76 euro/MWh.

Gjatë seancës së Bordit përfaqësues të Entit thanë se tashmë pjesa e burimeve të rinovueshme të energjisë mbulohet nga një ligj i ri i miratuar në vitin 2023, por që për të duhet të miratohen ende aktet nënligjore në mënyrë që të bëhet i zbatueshme.

Nxitja e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme parashikon ndër të tjera ofrimin e një çmimi të leverdishëm që garanton kthim të arsyeshëm investimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë