Bota

Erdogan: Putini ra dakord për zgjatjen e paktit të grurit (por Kremlini e mohon)

Gazeta Si - "Ne jemi dakord për zgjerimin e korridorit të grurit të Detit të Zi". Kështu deklaroi presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, duke folur për qëndrimin e homologut të tij rus Vladimir Putin për zgjatjen e marrëveshjes, që skadon më 17 korrik, e gjetur vitin e kaluar midis Ankarasë, Moskës, Kievit dhe OKB-së, e cila zhbllokoi eksportet e grurit nga Ukrainë.

"Ne po përgatitemi të presim Putinin në Turqi në gusht", - shtoi Erdogan, teksa foli me gazetarët në një konferencë të transmetuar nga TV shtetëror TRT, pasi mori pjesë në lutjet e së Premtes në një xhami të Stambollit.

Por zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov, tha për Interfax se Rusia nuk ka lëshuar asnjë deklaratë për një zgjatje të mundshme të marrëveshjes së grurit. "Ne nuk kemi lëshuar asnjë deklaratë për këtë pikë", tha Peskov.

Rusia vazhdimisht ka kërcënuar se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen. Ajo ka paraqitur një sërë kërkesash, sikurse heqjen e kufizimeve ndaj eksporteve bujqësore ruse dhe lidhjen e Bankës Bujqësore ruse në sistemin e pagesave SWIFT.

Më herët gjatë javës, në përpjekje për zgjatjen e marrëveshjes së drithërave, OKB i ofroi qasje Rusisë në sistemin SWIFT.

Marrëveshja për drithërat ka mundësuar lehtësimin e krizës globale ushqimore, që u përkeqësua pas bllokimit të porteve ukrainase për shkak të luftës. Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë