Bota

Erdogan pas vizitës në Athinë: I lamë pas përplasjet ajrore me Greqinë, duam miqësi!

Gazeta Si - Presidenti turk Erdogan ka mbyllur vizitën në Greqi, që ka hapur një faqe e re në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. Lideri turk ka pohuar para gazetarëve se me kryeministrin grek Mitsotakis firmosën deklaratën e përbashkët për marrëdhënie miqësore dhe për të zgjidhur problemet në mënyrë paqësore, pa ndërhyrjen e palëve të treta.

Erdogan foli dhe për për çështjen e provokimeve të shpeshta në Egje: “Mund të them me bindje se si një vend me një popullsi prej 85-86 milionë banorësh dhe një sipërfaqe prej 780 mijë kilometrash katrorë, kemi shpenzime të mbrojtjes, që nuk mund të krahasohen me Greqinë. Greqia shpenzon shuma të ndryshme nga ne në këtë fushë. Për përplasjet ajrore midis Turqisë dhe Greqisë në Egje thamë ta mbyllim këtë faqe dhe ta lëmë me kaq. Ne duam të përqendrohemi te miqësia.”

Presidenti Erdogan tha po ashtu se Turqia kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me Greqinë edhe në sektorin e energjisë, veçanërisht në fushën e centraleve bërthamore. Për burimet nëntokësore kërkoi një shpërndarje më të drejtë të tyre në rajon, ndërsa sinjalizoi se po i hap rrugën gazit të Rusisë.

“Kemi vendosur të bëhemi një qendër në rajon për furnizimin me gaz natyror nga Rusia dhe prej andej në Ballkan dhe Europë. Në këtë aspekt kemi një pajtim me presidentin rus Vladimir Putin. Tensionet në Mesdheun Lindor prekin kryesisht Turqinë dhe Greqinë, vendet më të rëndësishme të rajonit”, - tha Erdogan. Ai e ftoi Mitsotakis për një vizitë në Turqi.

Erdogan u rikujtoi ndërkohë Shteteve të Bashkuara që të përshpejtojnë dorëzimin e avionëve të luftës F-16 për të përmbyllur dhe procesin e anëtarësimit të Suedisë në NATO.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë