Bota

Erdogan paralajmëron Izraelin: Mos sulmoni liderët e Hamasit në territorin turk

Gazeta Si- Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar Izraelin që të mos kryejë sulme ndaj liderëve të Hamasit në Turqi.

“Ata nuk i njohin turqit. Nëse guxojnë të bëjnë një lëvizje të tillë kundër Turqisë, do të paguajnë një çmim shumë të rëndë që nuk do të mund të rikuperohen kurrë”.

Shumë anëtarë të shquar të Hamasit jetojnë në vende të tilla si Katari, Libani dhe Turqia. Nëse Izraeli e bën këtë, Erdogan thotë se vendi "do të paguajë një çmim shumë të lartë".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu urdhëroi më parë shërbimin sekret të gjurmonte dhe të vriste liderët e Hamasit, kudo që të jenë.

Erdogan shprehet gjithashtu kundër planit të Izraelit për ta kthyer një pjesë të Rripit të Gazës në një zonë tampon pas luftës për të parandaluar sulmet e ardhshme të Hamasit.

"Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, aktualisht po përballet me një kolaps. Ai mund të shfaqet duke valëvitur flamurin e bardhë, por nuk do të jetë në gjendje të shmangë dënimin për veprimet e tij, herët a vonë ai do të dalë në gjyq dhe do të paguajë çmimin për krimet e luftës që ai ka kryer”, tha Erdogan.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, raportoi të premten se Izraeli ia ka dorëzuar atë plan disa vendeve arabe në rajon dhe Turqisë.

Presidenti turk e quan "mosrespektim ndaj palestinezëve" edhe përmendjen e një zone të tillë “tampon”. Turqia ka qenë shumë kritike ndaj veprimeve izraelite në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës.

Presidenti Erdogan është gjithashtu një kundërshtar i deklaruar i mbështetjes perëndimore për Izraelin, gjë që sipas tij kontribuon në përshkallëzimin e konfliktit.

Fillimisht, Turqia u vendos si ndërmjetëse midis Izraelit dhe Hamasit, sepse është një nga vendet e pakta në rajon që mban kontakte me të dyja palët. Në fund, megjithatë, Turqia e humbi atë pozicion ndaj Katarit.

Izraeli vazhdoi bombardimin e Rripit të Gazës. Në 24 orë, 250 “objektiva terroriste” u sulmuan, tha ushtria të mërkurën në mëngjes.

Kjo përfshin vendet ku ishin ruajtur armët ose eksplozivët, tunelet nëntokësore dhe "infrastruktura tjetër ushtarake", tha një zyrtar.

Një avion luftarak bombardoi dy objekte të lëshimit të raketave që thuhet se kishin lëshuar raketa drejt Izraelit qendror të martën.

Gjatë bombardimeve të reja, ushtria tha se eliminoi gjithashtu luftëtarët nga organizata radikale palestineze Hamas dhe Xhihadi Islamik.

Forcat izraelite sulmuan gjithashtu një "celulë terroriste" me bazë pranë një shkolle në Rripin verior të Gazës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë