Lajme

Erdogan në Serbi: Të rrisim bashkëpunimin ushtarak!

Presidenti Aleksandër Vuçiç mirëpriti të hënën presidentin Rexhep Tajip Erdogan në vizitë dy-ditore të liderit turk në Serbi. Dy presidentet njoftuan se Beogradi dhe Ankaraja do të përmirësojnë bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

Vuçiç e priti Erdoganin me një ceremoni madheshtore ushtarake në aeroportin e Beogradit.

Mediat turke e shohin vizitën e Erdoganit si një mision ekonomik, pasi ai po shoqërohet nga 100 biznesmenë turq dhe do të hapë gjashtë fabrika të reja turke dhe disa projekte të tjera në Serbi.

Gazeta e përditshme pro-qeveritare turke “Saban” shkruan se vizita e Erdogan është një sinjal se " investimet turke do pushtojnë Serbinë". Sipas saj, Ankaraja dhe Beogradi pritet të rrisin vëllimin e tyre të tregtisë nga 1.2 miliardë dollarë në 5 miliardë.

Vuçiç tha se nga fuqizimi i bashkëpunimit me Turqinë do të përfitojnë të dy vendet.

Presidenti Aleksandër Vuçiç mirëpriti të hënën presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan

"Ekspertët tanë kanë treguar interes për të blerë disa pajisje dhe armë, dhe ne duam të bashkëpunojmë edhe në fushën e teknologjisë," tha Vuçiç në një konferencë të përbashkët për shtyp. "Serbia do të rrisë kapacitetin mbrojtës", shtoi ai.

Erdogan u shpreh nga ana tjetër se vendi i tij do të vazhdojë të investojë në Serbi.

"Ne duam të përmirësojmë më tej marrëdhëniet midis Turqisë dhe Serbisë kur bëhet fjalë për sigurinë, mbrojtjen, kulturën," tha ai.

Erdogan shtoi se Turqia do të vazhdojë të ruajë prezencën e saj në Ballkan.

"Vendi ynë do të vazhdojë të punojë për të mbështetur paqen në Ballkan dhe për të lënë problemet ekzistuese," tha ai.

Delegacionet serbe dhe turke nënshkruan marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, industrisë dhe teknologjisë.

Ata gjithashtu nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për patrullimet e përbashkëta të policisë, një marrëveshje ushtarake, një protokoll për bashkëpunimin shkencor dhe teknologji dhe një memorandum mirëkuptimi midis agjencive të tyre përkatëse të zhvillimit.

Sot Erdogan dhe Vuçiç do të kenë një takim trepalësh me liderët e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe do dhe të marrin pjesë në një ceremoni për inaugurimin e autostradës Beograd-Sarajevë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë