Politike

Enveri dhe Mid’hati trazojnë Ditën e Çlirimit

Veteranët e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë zhvilluar homazhe në varrezat “Dëshmorët e Kombit” ditën e sotme, duke protestuar ndaj qeverisë së majtë të Edi Ramës. Ndryshe nga herët e tjera, ata kanë dalë kundër akteve të kryeministrit, ku më i fundit që ata kontestojnë fuqishëm është ai rikthimit të eshtrave të kreut të Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri dhe kryerja e ceremonisë shtetërore nga ana e qeverisë.

Veteranët e luftës në ceremoninë e sotme


Të indinjuar nga ky veprim, me pankarta në duar dhe me foton e ish-diktatorit Enver Hoxha
Me pankarta në duar dhe me foton e ish-diktatorit Enver Hoxha ata kanë përkujtuar luftën antifashiste. Të indinjuar me ceremoninë shtetërore për varrimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit kanë bërë thirrje kundër qeverisë Rama duke e quajtur neoballiste.
“Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës”, deklaruan ata duke akuzuar Mid’hat Frashërin si tradhtar që masakroi shqiptarë duke i çuar në kampet e përqendrimit nazist.

Arkmorti i mbuluar me flamurin Kombetar, me eshtrat e patriotit dhe shkrimtarit, Midhat Frasheri, gjate ceremonise shteterore tek Liqeni Artificial. Eshtrat e Frasherit u sollen nga New York per t'u rivarrosur ne Kodrat e Liqenit, ku prehen 3 vellezerit Frasheri. Foto LSA

Ata mbanin në dorë dhe pankarta ku shkruhej: Rroftë Partia Komuniste Shqiptare", Lavdi PKSH-së", “Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës”
Sipas tyre Enver Hoxha është një udhëheqës gjenial që shpëtoi Shqipërinë. “Shqipëria u rreshtua në krah të fituesve falë udhëheqësit gjenial Enver Hoxha, Shqipërinë e priste copëtimi territorial ashtu siç ndodhi me vendet e tjera, lavdi luftës nacional-çlirimtare”, u tha ndër të tjera.
Mes pankartave ishte dhe ajo “Bularati është Shqipëri”.

Gjatë fjalës së tij kreu i Partisë Komuniste, Qemal Çiçollari ka reaguar ashpër kundër vendimit të qeverisë për rivarrosjen e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Ai e ka cilësuar qeverinë e Ramës si neoballiste, pasi sipas tij Mid’hat Frashëri është tradhtar i vendit, ndërsa socialistët e rehabilituan.
“Populli shqiptar nën udhëheqjen e Enver Hoxhës përballoi me heroizëm 15 divizione fashiste dhe naziste duke u shkaktuar 70 mijë të vrarë dhe dëme të pallogaritshme. Në këtë luftë dhëmbë për dhëmbë me fashistët dhe ballistët dhanë jetën dëshmorët e atdheut. Populli shqiptar bëri luftë heroike për çlirimin e vendit me në krye gjeniun Enver Hoxha. Kjo luftë fitimtare e shpëtoi Shqipërinë. Në 14 nëntor 2018 populli shqiptar pa edhe dëgjoi ceremoninë për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Ky akt është shprehja e qartë e rehabilitimit të kolaboracionistit. Qeveria rilindase socialiste e Ramës është neoballiste dhe neokolaboracioniste. Poshtë qeveria neoballiste e Edi Ramës. Balli Kombëtar përfaqësonte interesat e borgjezisë. Balli Kombëtar zgjodhi bashkëpunimin me nazistët. Dokumentet e nazifashistëve vërtetojnë kolaboracionizmin e Ballistëve dhe Zogistëve. Populli i ka paguar shtrenjtë krimet e mëdha të Ballit Kombëtar", tha  Çiçollari.
Më tej ai akuzoi Ballin Kombëtar për vrasjen e 28 mijë dëshmorëve të luftës Nacionalçlirimtare.
“Balli Kombëtar vrau 28 mijë dëshmorët e atdheut. Dëgjoi dhe shkrumboi Shqipërinë. Fajtori kryesor për këto krime është kryetari i Ballit Kombëtar Mid’hat Frashëri. Ishte dhe mbeti deri në fund tradhtari i vendit. I bëjmë thirrje popullit të ngrihet kundër qeverisë së Ramës dhe të distancohen nga socialistët” deklaroi kryetari i partisë Komuniste.

Në datë 14 nëntor mbërritën në Shqipëri nga SHBA eshtrat e shkrimtarit dhe politikanit, Mid'hat Frashëri, duke ngjallur debat për rolin e tij si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar.


Ceremonia e tyre u mbajt një orë pasi kishte përfunduar ceremonia shtetërore, ku presidenti Meta dhe kryeministri Rama nderuan me homazhe para monumentit "Nëna Shqipëri"
Ndërsa nderim i Mid’hat Frashërit ka shkaktuar përplasje edhe në Shkodër. Takimi i Lëvizjes Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Shkodër u shoqërua me një incident paraditen e sotme.
Kreu i Partisë Komuniste Gjon Bruçi pas përfundimit të fjalës së prefektit të qarkut Shkodër, Çesk Millja është kapur me këtë të fundit.


Bruçi duke iu drejtuar Milljas i kërkoi shpjegime se përse lejohet që kryetarja e bashkisë Shkodër të injorojë 29 nëntorin 1944 që përkon me festën e Çlirimit duke e cilësuar si një ditë të zezë.
Prefekti Millja vazhdoi duke mos kthyer një përgjigje konkrete. Pak ditë më parë kryebashkiakja Voltana Ademi e quajti 29 nëntorin 1944 si një pjese e errët e historisë ku u instalua regjimi komunist.

Gjon Bruçi duke folur për mediat

Por Bruçi doli hapur kundër kryeministrit Rama, duke e fajësuar për ceremoninë e kthimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit. “Ai nuk është i fuqishëm pasi është falur tek eshtrat e Mid’hat Frashërit tradhtari më i madh i kombit. Mund të jetë dite e zezë për Voltanën, por jo për mua. Voltana Ademi shkeli Kushtetutën duke zhdukur datën 29 që është zyrtare. Prefekti dhe kryeministri ta detyrojnë të respektonte ligjin dhe nëse nuk kishte fuqi të jepte dorëheqjen. Kryeministri me dy palë tuta tallet me festën kombëtare”, është shprehur Bruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë