Libra

Engjëlli i skëterrës flet shqip…

Rrëmihja e të gjorit Levi-Bryl zbuloi se deri në ç’pikë ishte i gabuar ai pretendim, përveçse i pabesueshëm dhe arrogant. Ndodhi ç’kishte për të ndodhur: i përjashtuar nga mendimi, miti u strehua tek arti, i cili, në këtë mënyrë, u kthye në një përdhosje të mitit, por njëherazi edhe në një rehabilitim. Kjo vërteton dy gjëra: e para, që është i pamposhtshëm, që është një nevojë e thellë e njeriut. E dyta, që arti do të na shpëtojë nga përçarja totale, nga ajo ndarja e dhunshme e mendimit magjik me mendimin logjik. Njeriu është një e tërë bashkë. Prandaj romani, i cili ka një këmbë në çdo anë, ndoshta është veprimtaria që e shpreh më mirë qenien totale.U përkul dhe vendosi disa guralecë në formën e R-së.– Para ca kohësh, një kritik gjerman më pyeti se pse ne latino-amerikanët kishim romancierë të mëdhenj, por jo filozofë të mëdhenj. Ngaqë jemi barbarë, iu përgjigja, sepse, për fat të mirë, kemi shpëtuar nga skizma e madhe racionaliste. Ashtu siç shpëtuan rusët, skandinavët, spanjollët, popujt periferikë. Nëse doni të gjeni Weltanschauung-un tonë, i thashë, kërkojeni te romanet tona, jo te mendimi ynë i kulluar.

Në jetën e tij gati njëqindvjeçare, Sabato botoi vetëm tre romane: “Tuneli” (1948), “Mbi heronjtë dhe varret’ (1961) dhe “Abadoni, engjëlli i skëterrës” (1974), i cili përmbyll trilogjinë dhe prej pak ditësh gjendet në libraritë shqiptare me përkthimin e Erion Karabollit, botuar nga shtëpia botuese “Pika pa Sipërfaqe”.

Një histori e errët dhe e fuqishme, e cila zhvillohet në një Buenos Aires klaustrofobik, që parathotë shumëçka për ngjarjet e trazuara politike që do përjetonte pak vite më vonë ky qytet. Jemi në qytetin e skuadroneve të vdekjes, të torturave; po ashtu, jemi në qytetin e inteligjencies radikale, të të majtëve radikalë, mes fretërve borgjezë dhe të rinjve të sinqertë e të dhënë pas politikës e filozofisë, mes të cilëve ndodhet autori i këtyre faqeve, i cili jeton me ata, duke vuajtur e duke u zhgënjyer me personazhet e romanit, si të ishin prej mishi e prej gjaku. Ai thur një roman që ushqehet me të gjitha format që mund të marrë fjala: dialogë, faqe ditari, artikuj gazetash, përshkrime ëndrrash, rrëfime të kulluara etj, duke krijuar kësisoj një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë