Lajme

Ëndrra e Klosit për turizmin Marin

Një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është Turizmi Blu ose ai Marin.

Nxitja dhe Zhvillimi i këtij lloj turizmi do të bëhet përmes një strategjie mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Strategjia bën fjalë per një rrjet marinash për të rritur këtë turizëm.

Projekti nga të dyja ministritë parashikohet si një plan i suksesshëm, pasi ka patur interes nga të huajt dhe kërkesa për të investuar. Ky rrjet parashikohet të fusë Shqipërinë në hartën e këtij lloj turizmi në rajon dhe Europë.

“Ky turizëm do të rrisë të ardhurat. Do të rritet numri i jahteve që do të ankorohen në portet shqiptare gjë që parashikohet të dy-fishojë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Këtë vit nuk ka investime të mëdha, por nuk ka nevojë të presim investimet e mëdha për të zhvilluar këtë lloj turizmi. Fqinjët tanë si Kroacia dhe Mali i Zi e kanë të zhvilluar në nivel të lartë këtë lloj turizmi. Ne nuk kemi familje të mesme që lundrojnë me anije a barka në det”- u shpreh Klosi.

Megjithatë, pavarësisht dëshirave dhe ëndrrave, Ministrisë së Klosit për 2020-ën i janë akorduar vetëm 2,5 mld lekë, që siç do të thoshte deputeti Besnik Bare gjatë mbledhjes së Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese është i barabartë me buxhetin e një OJF-je të madhe, ose me buxhetin e menaxhimit të Administratës Publike.

Me pak fjalë, pritet që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të funksionojë me “fonde vullnetare”.

Synimet për rritjen në 7 mln turistë, do të pyeste Ilir Beqja si mund të arrihen me 250 lekë të vjetra për turist?

Sipas ministrit Klosi synimet e ministrisë për 2020 janë kategorizmi i strukturave akomoduese dhe lufta kundër informalitetit. Po ashtu shtimi i gamës së festivaleve rinore në 10 të tillë dhe jo vetëm në zonat bregdetare.

Për mjedisin do të vazhdohet me reformimin e sistemit. Në qershor do të jemi vendi i parë në Europë pa qese plastike. Gjithashtu do të ndërtohen landfille në zonat ku mungojnë dhe do të risistemohen venddepozitimet e mbetjeve duke i larguar ato nga shtratet e lumenjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë