Politike

Ëndrra e hershme e Nanos dhe dritëhijet e raporteve me Ramën

Kur Fatos Nano të hyjë në Pallatin e Kongreseve paraditen e së shtunës për të marrë pjesë në punimet e kongresit, që do të zyrtarizojë kandidaturat e socialistëve për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, aty do të gjejë pak nga fytyrat e emrat me të cilët bashkëpunoi para 2005-ës.

Kongreset e këtij lloji të socialistëve kanë prodhuar gjithmonë lajm kur vjen puna tek vendimet e debatet që e karakterizojnë, por ky është thuajse i vetmi që lajmin e prodhoi ende pa u zhvilluar. Lajmi ishte konfirmimi i pjesëmarrjes nga ana e Fatos Nanos, për herë të parë që nga viti 2005, kohë kur u largua nga posti i kryetarit të socialistëve për t’i lënë vendin Edi Ramës.

Me këtë të fundit marrëdhëniet duken sot më miqësore se kurrë. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Edi Rama e nisi rrugëtimin e tij brenda socialistëve me ftesë të Fatos Nanos si ministër i Kulturës në tetor të vitit 1998. Kryeministër ishte Pandeli Majko, pas dorëheqjes së Fatos Nanos, e kushtëzuar nga trazirat e 14 shtatorit, që pasuan vrasjen e Azem Hajdarit. Partia Demokratike fajësonte Nanon për këtë vrasje.

Në një vend të sapodalë nga trazirat e 1997 dhe ku shteti nuk kontrollonte pjesën më të madhe të territorit, kultura nuk ishte përparësia e një qeverie. Por, Edi Rama ja doli mbanë që të tërhiqte vëmendjen dhe të shndërrohej edhe me forcë në një prej protagonistëve kryesorë të kabinetit.

Ambicia e Ramës ishte shumë më e madhe dhe ajo nuk mund të qëndronte nën hijen e Kryeministrit. Kjo e hodhi drejt pushtetit vendor. Rama kandidoi për kryetar bashkie të Tiranës në zgjedhjet e tetorit 2000. Emri i tij mori mbështetjen e Partisë Socialiste pa rezerva. Përballë kishte Besnik Mustafajn. Arriti që të fitonte me 57 për qind përballë rivalit të Partisë Demokratike.

Si kryetar bashkie ndërmori aksionet e famshme të prishjes së ndërtimeve pa leje në Parkun Rinia dhe buzë Lumit Lana. Në këtë aksion pati mbështetjen e fortë dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ilir Metën, që ishte Kryeministër pas Pandeli Majkos dhe betejave brenda PS. Në 2001, Nano si kryetar i socialistëve nisi fushatën e njohur si “Katarsis” brenda partisë. Objektiv ishte spastrimi i forumeve drejtuese të socialistëve nga emrat që i kishin dalë kundër dhe rimarrja e postit të Kryeministrit. Në këtë periudhë ndodhën edhe ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste, që sanksiononin se kryetari i partisë duhej të ishte Kryeministri i vendit. Ndryshimet larguan Ilir Metën dhe në krye të Qeverisë rikthehet sërish Fatos Nano.

Këtu nis e përforcohet përplasja Nano-Meta. Beteja konstante mes tyre ishte zgjerimi i mbështetjes brenda partisë. Edi Rama u rreshtua në krah të Ilir Metës në këtë përplasje dhe Fatos Nanon e krahasonte me personazhin e “Robert çamçakëzit”, teksa i referohej lëvizjes “Katharsis”.

Nano ja doli mbanë që të rikthehej Kryeministër, por kjo nuk sheshoi përplasjen mes tij dhe Ilir Metës. Edi Rama nga ana tjetër, si kryetar i Bashkisë së Tiranës u shkëput ngadalë dhe publikisht e tërhoqi zellin fillestar me të cilin mbronte Metën.

Në 2004, përplasja kulmoi me çarjen e socialistëve dhe largimin e Ilir Metës e bashkëpunëtorëve të tij duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Krisja pasoi humbjen e zgjedhjeve në 2005.

Edi Rama merr frenat e partisë në opozitë, ndërsa në pushtet ishte rikthyer Sali Berisha. Opozitarizmi nuk zbuti armiqësinë Nano-Rama. Ish-kryetari i PS-së gëzonte ende mbështetës brenda partisë dhe këtë ndikim u përpoq ta shfrytëzonte në ambicien e tij për të hyrë në Presidencë, një ambicie, shenjat e para të së cilës i kishte shfaqur që në 2002 për të pasuar Rexhep Mejdanin.

Përballë kësaj ambicie qëndronte Edi Rama. “Lufta” me Ramën në këtë periudhë do ta afronte Fatos Nanon me Ilir Metën, kundërshtarin më të ashpër që kishte pasur brenda PS para 2005, e njëkohësisht një prej autorëve që çuan socialistët në opozitë, pavarësisht se Nano vetë akuzonte Ramën se me anë të Mjaftit kishte shkaktuar humbjen e PS në ato zgjedhje.

Socialistët nuk e propozuan si kandidaturë dhe në këmbim, Nano urdhëroi mbështetësit e tij që të votonin Bamir Topin, kandidaturë e Partisë Demokratike, që deri në ato ditë mbante postin e kryetarit të grupit parlamentar të demokratëve. Topi u zgjodh në 2007 me ndihmën e gjashtë deputetëve socialistë që rrodhën nga qëndrimi zyrtar i PS, që ishte bojkoti.

Ata u përjashtuan nga grupi parlamentar dhe do të ishin një nga arsyet që Rama të përforconte fushatën e spastrimit nga partia të emrave që deri në atë kohë njiheshin si mbështetës të Fatos Nanos. Këtij qëllimi i shërbyen tërthorazi edhe ndryshimet kushtetuese dhe të sistemit zgjedhor të 2008. Tashmë kryetarët e partive kishin në dorë se kush bëhej deputet dhe kush jo.

Në zgjedhjet e 2009, Rama spastroi pjesën më të madhe të mbështetësve të Nanos. Si hakmarrje ky i fundit i dilte kundër duke e akuzuar se kishte shkatërruar partinë. Në 2012, emri i Fatos Nanos shfaqet sërish si një kandidat potencial për President të Republikës. Ilir Meta sinjalizoi mbështetjen e tij në atë kohë, por me kushtin që të propozohej nga Partia Socialiste. Propozimi nuk erdhi sërish dhe sërish në Presidencë, Bamir Topi, tashmë një ish-figurë e PD-së zëvendësohet nga Bujar Nishani një tjetër figurë e PD, që u zgjodh në këtë post edhe me votat e Metës.

Edhe këtë herë, ëndrra e Fatos Nanos mbeti në sirtar. Dështimi i dytë në këtë përpjekje nuk e dorëzoi ish-kreun e socialistëve. Ai do të rikthehej në muajt e fundit të 2016 dhe muajt e parë të 2017, kur Kuvendi duhej të zgjidhte Presidentin e ri dhe më pas shqiptarët Parlamentin e ri. Zgjedhjet e dyfishta duket se reflektuan vetëpërmbajtje si tek Rama, ashtu edhe tek Meta, që tashmë po mbyllnin një mandat si aleatë. Rama kishte fituar pjekurinë që të vlerësonte publikisht emrin e Fatos Nanos për atë që ai kishte bërë për Partinë Socialiste, por sërish emri i liderit historik socialist nuk u shqiptua prej tij asnjëherë si propozim i socialistëve për President.

Miqësia e vendosur me Metën pas 2005 nuk reflektohej aq fort në pranverën e 2017. As Ilir Meta s’e propozoi si kandidat për President, përkundrazi, zgjodhi që ta marrë vetë këtë post. 20 ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, me kostumin e Presidentit të zgjedhur dhe fushatën elektorale të ashpërsuar, Ilir Meta e cilësonte “fantazmë” Fatos Nanon, kur u përgjigjej zërave të socialistëve që kishin nisur të bënin llogaritë nëse si President, Meta nuk do të dekretonte qeverinë e re socialiste.

Këto zëra nënkuptonin shkarkimin e Ilir Metës si President dhe votimin e Fatos Nanos në këtë post. “Nuk ekziston asnjë fantazmë që t’i sjellë një shqetësim Ilir Metës, aq më tepër rinisë së Shqipërisë që sot është me Ilir Metën, dhe Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të të rinjve të Shqipërisë, të së ardhmes së tyre”, deklaronte ai në një intervistë për Vizion Plus.

Dy vite më vonë, përplasja Rama-Meta është thelluar, që me rezistencën për të mos dekretuar Sandër Lleshajn si pasues të Fatmir Xhafajt, e më pas edhe me mosdekretimin e shkarkimit të Ditmir Bushatit dhe të emërimit të Gent Cakajt.

Kulmimi i kësaj përplasje ndodhi së fundmi, kur Meta foli drejtpërdrejtë për dorëheqje, madje solli si shembull edhe Salvado Allenden, Presidentin e vetëvrarë të Kilit, gjatë grushtit të shtetit të Augusto Pinocheti-t.

Në 2005, nga përplasja Meta-Nano, përfitoi Rama, tani përplasja është Rama-Meta dhe pyetja që ngrihet është nëse do të përfitojë nga kjo përplasje Fatos Nano, duke realizuar ëndrrën e tij të hershme për të hyrë në Presidencë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë