Lajme

Ëndrra e Hekurudhës shqiptare ndërpritet në mes

Sabina Veizaj - Ministria e Financave pavarësisht se ka parashikuar një rritje ekonomike 4,1 % për 2020-ën, një prognozë tejet pozitive krahasuar me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare për Shqipërinë, ka prerë fondet për një prej projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës, atë të hekurudhës.

Sipas Ministres së Infrastrukturës Belinda Ballukut, e cila raportoi sot (të martën) në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese buxhetin për ministrinë që drejton, Ministria e Financave ka zeruar 300 mln lekë për këtë projekt të cilat ndahen respektivisht; 100 mln lekë financim i brendshëm dhe 200 mln lekë financim i jashtëm.

“Ky buxhet nuk mund të quhet asesi “Buxheti i Infrastrukturës”, edhe pse në perceptim infrastrukturën e kemi lidhur me rrugët, infrastruktura nuk është vetëm rrugë. Grupi i Ministrisë që ka punuar për projektin e Hekurudhës është shumë i pezmatuar që fondet për të janë zeruar për 2020-n”, u shpreh Ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese. Gazeta "Si", 19 nëntor 2019.

Ajo bëri me dije se për këtë projekt është punuar për 10 muaj rresht në mënyrë intensive që të arrihej të fitohej financimi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Projekti hekurudhor parashikonte të kalonte Tiranë-Linë-Pogradec me dy segmente; njëri për në Maqedoninë e Veriut dhe tjetri për në Greqi.

Për këtë projekt garojnë 8 kompani ndërkombëtare dhe gara zhvillohet më 5 janar 2020, por që punimet nuk do të nisin në vitin që vjen për shkak të prerjes së fondeve.

“Hekurudha është transporti i së ardhmes. Të premten në një takim me homologun Bullgar më tregoi se vendi i tij kishte eksperimentuar një udhëtim me tren mallrash nga Pekini që kaloi përmes Sofjes, i cili zgjati 8 ditë. Kurse Pekin- Pire port udhëtimi zgjat për 27 ditë. Transporti hekurudhor është më efiçent në kohë, kosto dhe miqësor ndaj mjedisit”, tha Ministrja Balluku.

Por Buxheti i 2020 për Ministrinë e Infrastrukturës nuk i ka fikur dritën jeshile vetëm projektit të Hekurudhës. Për 2020 nuk do të ndërtohet asnjë rrugë e re.

Me tone kritike Ministrja Balluku kërkoi nga Ministria e Financave që buxheti të mos vendoset në mënyrë të njëanshme dhe të mos rrezikohen të paktën projektet e nisura dhe të mos shtyhej koha e dorëzimit të tyre, që sipas Ballukut të mbaheshin premtimet dhe të mos krijoheshin detyrime shtesë.

Sipas projektbuxhetit 2020 për Ministrinë e Infrastrukturës nuk ka shtesë të tavanit as për Transportin detar, as për atë ajror.

Kurse është hequr për 2020 fondi prej 251 mln lekësh për studimet e fizibilitetit.
Rrugës Kardhiq-Delvinë i është ulur fondi prej 600 mln lekësh. Sipas ministres, teksa kanë përfunduar lotet 5-6 në masën 75%, pritet loti 7, por që vihet në rrezik nga shkurtimi i fondeve.

Po ashtu është prerë edhe fondi për avancimin e efiçencës së energjisë.
Gjithashtu fondet e parashikuara për rrugën Ersekë-Korçë janë hequr dhe nuk ka një afat se kur do të përfudnojë ajo, edhe pse ministrja e cilësoi si një rrugë të rëndësishme komunikimi veçanërisht me fokus turizmin.

Ndër projektet që do të realizohen nga kjo ministri për këtë vit është krijimi i Agjencisë së Shpronësimeve, By passi Elbasanit dhe ai i Beratit, linja elektrike Fier-Maqdoni e Veriut, do të përfundojë më 8 shkurt 2020 By passi i Fierit.

Ministrja bëri me dije lançimin e tre projekteve të mëdha; Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës që do të jetë i kategorisë 4, më i mirë se ai i Tiranës, rruga Thumanë-Rrogozhinë pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe Tuneli i Llogorasë.

Ajo tha gjithashtu se i është propozuar Bankës Botërore një projekt për monitorimin e trafikut përmes krijimit të një Qendre të Posaçme, e cila sipas ministres do të shmangte aksidentet rrugore fatale.

Në lidhje me Air Albania ministrja u shpreh se do të hyjë një avion i tretë që do të shkojë “jo drejt kryeqyteteve ku ka shqiptarë, por drejt kryeqyteteve ku duam të ngremë flamurin; Londër, Bruksel, Athinë, Itali, e mandej në pranverë Amsterdam. Edhe pse me kosto tregtare.”

Po ashtu, planet afatgjata janë për të ngritur avionin Fan Noli drejt SHBA-ve, por së pari avioni duhet të kontrollohet që të plotësojë kushtet teknike.

Për rrugën Milot-Malldren, ministrja duke e cilësuar si konsum politik në medie, u shpreh se për këtë projekt ka kohë derisa të plotësohen dokumentet. Nëse financimet bien ndesh me ligjin, tha ajo, projekti do të anulohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë