Editorial

Emri i Maqedonisë, spiunët dhe prapaskenat që mund të rrëzojnë Tsipras

Nga Aleksandër Marku- Askush nuk mendonte se çështja e emrit të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë do të përqëndronte në zemër të gadishullit Ballkanik një politikë kaq intensive të vendeve të implikuara, në këtë rast Greqia dhe IRJM, por edhe të të ashtuquajturave superfuqi, SHBA dhe Rusisë.

Muajt e fundit e deri në orët e fundit nuk rreshtin shkrimet për deklaratat e hapura nga zyrat politike, por edhe ato që vizatojnë skemat e implikimeve të shërbimeve diplomatike apo edhe ato të inteligjencës të gjitha palëve, duke treguar përfundimisht se çështja e emrit të fqinjit verior të Greqisë, nuk ishte një problem vetëm midis dy shteteve. Kjo u kuptua edhe në vitin 2008 kur Athina guxoi dhe vendosi veto duke i kthyer fjalën Uashingtonit në Bukuresht dhe nuk pranoi që IRJM të hynte në NATO.

Por sot balancat politike janë krejt ndryshe. Nëse para disa vitesh parrulla “Vrasës të popujve , Amerikanë!” ishte një slogan i përditshëm në Greqi, tashmë ajo që mund të shkruhet për marrëdhëniet dypalëshe, ka vetëm një emër- “Një dashuri e re greko-amerikane”.

E lindur me vështrimet e Barack Obamës në kohën e krizës greke, e kulmuar nga ledhat e Donald Trump në periudhën e re të protektonizmit, me “dashurinë” me sfondin e përgjakur të Lindjes së Mesme, me zhvillimet dramatike në luftën civile në Siri, por edhe me konfliktet e Uashingtonit me Ankaranë.

Kryeministri Alexis Tsipras dhe Presidenti Donald Trump

Dhe për më tepër, siç theksojnë edhe shumë analistë, “dashuria” mes një qeverie të majtë dhe një tjetre, tepër kosnervatore, vërteton ndoshta edhe teorinë se, dy pole të kundërta tërheqin njëri-tjetrin.

Shpjegimet janë të shumta, por më llogjiket theksojnë se Trump ka nevojë për Greqinë dhe bazat e saj, si i vetmi vend strategjik dhe i stabilizuar i Ballkanit, kurse Tsipras ka nevojë për mbështetjen e Uashintonit në daljen e vendit nga kriza, në marrëdhëniet me Berlinin e Brukselin, por edhe me problemet e mëdha me Turqinë fqinje. Mbi të gjitha Uashingtoni kërkon që Athina të jetë garancia e një Ballkani larg influencës ruse.

Baza të reja ushtarake amerikane në Greqi

Pas vizitës së ministrit grek të Mbrojtjes Panos Kammenos në SHBA orët e fundit, u bënë me dije edhe deklaratat e tij se Uashingtoni mund të ndërtojë edhe disa baza të tjera të mëdha përveç asaj të Sudës në Kretë, në Aleksandroupoli në kufi me Turqinë, në Volos dhe në Larisa. Natyrisht që për këto baza duket se ka njohuri edhe kryeministri Tsipras.

Por lajmi që krijoi përsëri një të çarë të re brenda koalicionit qeveritar grek, ishte se Kammenos, duke dalë jashtë vijës qeveritare u paraqiti amerikanëve një plan "B", në rast të dështimit të aprovimit të Marrëveshjes së Prespës në parlamentin e Shkupit.

Baza detare e Kretës, një nga fortesat kryesore të NATO-s në Mesdheun lindor.

Konkretisht ka propozuar nënshkrimin e një marrëveshjeje ushtarake me vendet fqinje, Shqipërinë, Bullgarinë, IRJM dhe ndoshta edhe Serbinë në të ardhmen, për të krijuar sipas tij, një mburojë ndaj rrezikut rus, që do të garantonte stabilitetin e Maqedonisë, duke krijuar kushtet më vonë për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Por zyra e kryeministrit Tsipras ka reaguar menjëherë nëpërmjet një deklarate që thekson se qeveria greke, mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës, duke respektuar procedurat kushtetuese në vendin fqinj dhe duke mbështetur përpjekjet e kryeministrit Zaev për të përmbushur kushtet që marrëveshja të hyjë në fuqi.

Edhe Ministri Plotësues i Jashtëm Jorgos Katrugalos, ka theksuar se propozimet e Kammenos nuk janë diskutuar kurrë në këshillin e ministrave, duke e lënë krejtësisht të zbuluar partnerin qeveritar, që gjithnjë e më tepër, po krijon kokëçarje në qeverinë Tsipras. Kundërshton vazhdimisht marrëveshjen e Prespës dhe kërcënon se do të largohet nga qeveria nëse ajo vjen për votim në parlamentin grek.

Ndërkohë zyrës kryeministrore të Aleksis Tsipras iu desh që brenda një ditë të nxirrte edhe një deklaratë tjetër në lidhje me një artikull të NY TIMES që bën fjalë për implikimin e manjatit ruso-grek ,presidentit të PAOK-ut të Selanikut, Ivan Savidis, në minimin e Marrëveshjes së Prespës. Artikulli u konsiderua edhe si një presion i Uashingtonit për të përforcuar prezencën e tij në Ballkan.

Kryeministrat Alexis Tspiras dhe Zoran Zaev

Situatën e ndërlikon më tepër edhe kritika e konservatorëve grekë, që dalin hapur kundër kësaj marrëveshjeje, duke shigjetuar qeverinë se po krijon një terren të rrezikshëm dhe po ushtron një politikë të jashtme të gabuar.

Nga ana e tij kryeministri Tsipras duket se është i vendosur ta çojë deri në fund përpjekjen e qeverisë së tij, të nisur prej shumë muajsh, për të zgjidhur çështjen e pazgjidhshme për më shumë se 27 vjet me fqinjin verior. Ai ka përsëritur shpesherë se Greqia duhet të zgjidhë çështjet me fqinjët të trashëguara nga historia.

Ndaj dhe në Greqi priten me tepër interes zhvillimet në Shkup, nëse kryeministri Zaev do të mundë të sigurojë dy të tretat e votave në parlament për të miratuar marrëveshjen. Në se procedura do të përfundojë pozitivisht, atëhere vlerësohet se është gjetur edhe çelësi që po hap derën e paqes në Ballkanin e problemeve të mëdha.

Emri do t'i lërë radhën çëshjeve greko-shqiptare, duke shkuar më pas drejt veriut, tek ato serbo-shqiptare e deri në Bosnjë, aty ku problemet qëndrojnë të fshehura, por që janë gjithnjë gati të shpërthejnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë