Rend dhe Ligj

Emrat që do të “pastrojnë” Policinë e Shtetit

Ministria e Brendshme ka publikuar listën me emrat e personave të përzgjedhur që u është besuar rivlerësimi i integritetit, aftësisë profesionale dhe pasurisë të të gjithë trupës së Policisë së Shtetit, duke nisur që nga maja më e lartë, pra Drejtori i Përgjithshëm i saj, e deri tek efektivi më i thjeshtë në terren.

Janë pesë komisionerë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Jashtëm, 5 anëtarë të zgjedhur nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, pesë përfaqësues nga Universiteti i Tiranës dhe 15 anëtarë të Sekretariatit Teknik.

Pra, në total janë 30 emra pjesë e strukturave të rivlerësimit, plus 6 të tjerë që janë zëvendësuar, katër për anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe dy për Komisionin e ILDKPI-së.

Sa i takon funksionimit procesi do të nisë larg vëmendjes mediatike dhe publike dhe faza e parë është kontrolli i pasurisë, ku do të krahasohen të dhënat e ILDKPI-së ndër vite me vetëdeklarimet e plotësuara në formularët përkatës nga punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Procesi është i ngjashëm me vettingun në drejtësi dhe ashtu siç vettingu në drejtësi nisi nga Gjykata Kushtetuese, pra nga maja e piramidës së këtij sistemi, edhe vettingu në polici do të nisë me kupolën drejtuese të strukturës.

Pra, procesi do të nisë më Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të vijuar më pas në mënyrë hierarkike me drejtuesit në qarqe e rrethe dhe deri tek efektivi më i thjeshtë në terren. Të drejtën për t’iu nënshtruar vettingut dhe për t’u rikthyer si pjesë e uniformave blu e kanë edhe persona e larguar nga policia, por jo kur kanë më shumë se dy vite të shkëputur prej saj.

Anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit:

  1. Ana Kapaj
  2. Artur Baku
  3. Marjeta Gjelaj
  4. Sonila Kadareja
  5. Viktor Bërdo

Nga kandidaturat e përcjella nga Rektorati i Universitetit të Tiranës u përzgjodhën:

  1. Ela Kërka
  2. Elda Kuka (Balili)
  3. Elida Liko
  4. Ledian Rusta
  5. Mirela Ujkani (Miti)

Anëtarë zëvendësues të anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit u përzgjodhën kandidatët, sipas renditjes:

  1. Nertila Sadedini (Murati)
  2. Bledar Ilia
  3. Arta Lleshi
  4. Elton Muça

Anëtarë të Sekretariatit Teknik u përzgjodhën kandidatët:

  1. Amarildo Kurti
  2. Arta Lleshi
  3. Eralda Bajollari
  4. Erjena Bashari
  5. Erlisa Shkodrani
  6. Floris Muho
  7. Gent Pejo
  8. Gëzim Selmani
  9. Ilva Mitro
  10. Iva Guçe
  11. Klevi Hajdini
  12. Marjana Çela
  13. Marjeta Përlala
  14. Suela Pashaj
  15. Laert Elmazaj

Inspektoriati i lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka caktuar si anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, punonjësit:

  1. Elvira Dabërdaku, inspektor
  2. Adriana Meko, inspektor
  3. Zamira Gjini, inspektor
  4. Alban Laska, inspektor
  5. Besnik Hodo, inspektor

Anëtarë zëvendësues janë:

  1. Dhimitrulla Spiro, inspektor
  2. Vjollca Koçollari, inspektor

Vettingu në radhët e Policisë së Shtetit mori shtysë nga i njëjti person që ishte aktori kryesor në vettingun e drejtësisë: Fatmir Xhafaj. Pak pasi mori detyrën e ministrit të Brendshëm, pas largimit të Saimir Tahiri, ai njoftoi planin për të kaluar në sitë të gjithë personat që vishnin uniformën e policisë.

Nisma ishte edhe një përgjigje e tërthortë ndaj akuzave të opozitës dhe hetimeve të prokurorisë në atë kohë, ku disa emra drejtuesisht kryesorë të policisë, sidomos në Qarkun e Vlorës, përfliteshin si të përfshirë në trafikun e drogës në drejtim të Italisë.

Por, kjo nuk zbuti akuzat e Partisë Demokratike, përkundrazi i përqendroi ato në drejtim të vetë Fatmir Xhafajt, të cilin opozita e akuzonte për një qëndrim me dy standarde.

“Ju të bëni vetting, Ministri juaj të mos bëjë. E drejtë është kjo miq? Absolutisht jo! Derisa të bëjë vettingun ai, ne nuk i ndahemi”, u drejtohej ish-Kryeministri Sali Berisha disa punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së opozitës të 26 majit të 2018.

Deklarata i referohej faktit që vettingu në radhët e Policisë së Shtetit nuk përfshinte ministrin e Brendshëm. Nga mazhoranca u mbrojtën duke thënë se posti i ministrit të Brendshëm ishte politik, ndryshe nga statusi që gëzojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, si të depolitizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë