Politike

Emrat, opozita e re parlamentare në listat e PS për deputetë

Jo vetëm PD por edhe PS është futur ethshëm në negociatat për hartimin e listës së deputetëve.

Kohët e fundit është vënë re një shpeshtim i kontakteve të PS-së me deputetët që i “kursyen” për çdo ligj e marrëveshje zgjedhore që socialistëve u shkoi për shtat.

Më herët është raportuar se deputetja e Dibrës, Reme Lala,  që katër vitet e fundit përfaqësoi PDIU në Kuvend do të garojë këto zgjedhje në listën e PS për qarkun e Tiranës.

Reme Lala mësohet se ka marrë pjesë edhe në mbledhjen e kandidatëve për deputet të qarkut Tiranë.

Një tjetër emër deputeti, Edmond Rrushi që hyri në parlament nga listat e LSI është konfirmuar se do të ketë një vend në listën e PS.

Listës së PS-së do t’i bashkohet edhe deputeti tjetër i LSI, Ylli Shehu.

Ndërkohë “TCH” raportoi se krahas emrave të mësipërm, PS është në negociata edhe me dy deputetë nga Grupi Parlamentar Demokrat konkretisht; Alban Zeneli dhe Halit Valteri.

Ndërkohë, fenomeni i kalimit të deputetëve nga një parti në tjetrën nuk pritet të mbarojë me këto emra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë