Njerez

Emigrimi masiv / BE i dha lejeqëndrimi 74 mijë shqiptarëve vjet, shifra më e lartë që nga 2010-a. Në 15 vjet kanë ikur 832 mijë

Nga Gazeta ‘SI’ - Vitin e shkuar, vendet e Bashkimit Europian dhanë rreth 74 mijë leje qëndrimi për shtetas shqiptarë, që kanë kërkuar azil atje. Norma është rritur ndjeshëm nga viti 2021, me 34% dhe është numri më i lartë që nga viti 2010, sipas Eurostat.

Numri i larta lidhet drejtëpërdrejt me rritjen e emigrimit në vend.

Në total, që nga viti 2008 (kur Eurostat nis numërimin) BE ka dhënë 832 mijë leje qëndrimi për shqiptarët, sa 1/3 e popullsisë që jeton brenda Shqipërisë.

Instituti europian i statistikave tregon se fluksi i emigrantëve nga Shqipëria është ringjallur në vitin 2015 dhe nuk ka ndaluar që atëherë, përveç një pauze gjatë pandemisë.

Edhe pse herë pas here preferencat e shqiptarëve për destinacon ndryshojnë, Italia dhe Greqia mbeten ‘shtëpia e tyre e dytë’, ndjekur dhe nga Gjermania. Në 2022, Italia dha 34.8 mijë leje qëndrimi, Greqia 14.3 mijë dhe Gjermania 13.3 mijë.

Sipas arsyeve, në 2022, gati 75% e lejeve u dhanë për arsye familjare, 4.3% për studime dhe pjesa e mbetur për arsye të tjera.

Në total vendet e BE-së dhanë 3.7 mln lejeqëndrimi gjatë 2022-shit, më e larta që nga 2009-a.

“Arsyet e punësimit” përbënin 42% të të gjitha lejeve të qëndrimit të dhëna në vitin 2022, me rreth 1.6 milionë leje, që tregon një rritje prej 18% krahasuar me vitin 2021 (+243 617).

“Arsyet familjare” përbënin 24%, “arsye të tjera”, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, përbënin 21%, dhe “arsye arsimore” 13%.

Krahasuar me vitin 2021, këto tre arsye kryesore shënuan rritje të konsiderueshme: “arsye të tjera” u rritën me 37% (+209 074), e ndjekur nga “arsye arsimore” (+33%; +117 230) dhe arsye familjare” (+26 %; +183 524).

Gjermania ka qenë vendi me më shumë lejeqëndrimi të dhëna, 538.690 , ndjekur nga Spanja 457.412, Italia 337.788 dhe Franca 324.200


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë