Bota

Emigrantët, Unicef ngre alarmin: Mesdheu është shndërruar në një varrezë fëmijësh

Gazeta Si – Agjencia e OKB-së për fëmijët evidenton boom-in e emigrantëve mes janarit dhe shtatorit. Gjatë verës numërohen të paktën 990 persona, përfshirë edhe fëmijë, që kanë humnbur jetën në det.

Më shumë se 11.600 minorenë të huaj të pashoqëruar kanë mbërritur në Itali nga janari deri në mes të shtatorit, duke kaluar Mesdheun. Janë 60% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, kur rreth 7200 minorenë të pashoqëruar apo të ndarë nga familjarët kanë ndjekur këtë rrugë nga Veriu i Afrikës.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Unicef, pas një misioni në Lampedusa. Në ishull numri i emigrantëve të ardhur ka shënuar pikun gjatë muajit shtator, me 4800 persona që kanë zbarkuar në një ditë të vetme. Kështu Mesdheu, sipas agjencisë për fëmijët, është shndërruar në një varrezë fëmijësh.

Është trefishuar numri i emigrantëve që kanë humbur jetën në Mesdhe. Unicef denoncon se numri i emigrantëve të vdekur apo të zhdukur në tentativë për të kaluar detin Mesdhe këtë verë rezulton "tre herë më i madh se e njëjta periudhë e vitit të kaluar".

"Deti Mesdhe, - deklaron agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët, - është kthyer në varrezë fëmijësh”. Mes qershorit dhe gushtit 2023 kanë humbur jetë në det, sipas Unicef-it, "të paktën 990 persona, përfshirë edhe fëmijë", pas mbytjes së mjeteve lundruese në Mesdheun qendror. Në të njëjtën periudhë të 2022-shit humbën jetën 334 persona.

Aktualisht, gjithmonë sipas Unicef-it, janë më shumë se 21700 minorenët në hotspot në Itali, ndaj 17700 të një vitit më parë, para transferimit në qendrat e pritjes. Në ishullin e Lampedusës agjencia ofron një sërë shërbimesh esenciale, si shëndeti mental dhe mbështetja psikosociale, aksesi në informacione dhe orientimi për shërbimet e specializuara në kuadrin e projektit Protect.

Unicef kërkon nga qeveritë të "ofrojnë rrugë më të sigurta ligjore për kërkesat për azil; të garantojnë që fëmijët të mos mbahen në struktura të mbyllura; të forcojnë sistemet kombëtare të mbrojtjes së minorenëve; të koordinojnë operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të garantojnë zbarkimin në vende të sigurta".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë