Para

Emigrantët sollën në Shqipëri 241 mln euro për 3 muaj

Nga Gazeta 'SI' - Në tre muajt e parë të këtij viti, emigrantët shqiptarë sollën në Shqipëri 28 mln euro më shumë se një vit më parë.

Banka e Shqipërisë raporton se nga janari në mars, në Shqipëri erdhën 241 milionë euro në formë remitancash, apo dërgesash nga emigrantët shqiptarë.

Shqipëria listohet si një ndër vendet që pret më shumë dërgesa nga diaspora e saj, mesatarisht sa 9% e PBB-së së vendit. Shtetet e BE-së, kryesisht Gjermania, Italia por edhe Britania, janë burimet kryesore të remitancave që vijnë në Shqipëri. Këto dërgesa janë një presion i shtuar ndaj kursit të këmbimit në vend.

Rritja me 13% e këtyre dërgesave mund të lidhet me rritjen e numrit të të rinjve që kanë ikur nga Shqipëria, por edhe me shtrenjtimin e kostos së jetesës për familjarët e mbetur. Në vitin 2022, të dhënat e fundit të disponueshme, rreth 46.460 shqiptarë emigruan.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në 2023-shin erdhën 930 mln euro remitanca. Shifrat tregojnë se dërgesat e emigrantëve janë i vetmi burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare.

Guvernatori Gent Sejko, njoftoi pak muaj më parë që në muajin qershor Shqipëria do të aplikojë për t'u bërë pjesë e SEPA-s, sistemit europian të pagesave. Duke qenë një vend i lidhur ngushtë me remitancat, Sejko tha, SEPA do t'i kursejë shqiptarëve deri në 20 mln euro.

“Kjo është një përfitim mjaft i madh për individët, bizneset dhe emigrantët, gjithashtu turistët, pasi komisionet do të jenë më të ulëta, transaksionet më të shpejta, bizneset do të përfitojnë, importuesit dhe eksportuesit do të përfitojnë, por dhe individët, ne jemi koshientë, që kemi një numër të lartë individësh që punojnë në shtetet e huaja dhe sjellin të ardhura për familjet e tyre. Ngritja e sistemit ndërbankar në vend për transfertat në euro nga 2022-shi i kurseu qytetarëve 47 milionë euro. Besoj vitin e parë ne mund të kemi rreth 20 milion euro kursime nga komisione duke përfshirë individët dhe bizneset”, u shpreh Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë