Njerez

Emigrantët shqiptarë po përdorin gratë shtatzëna për t’i shpëtuar dëbimit nga Britania

Nga Gazeta S i- Trafikantët shqiptarë po synojnë nënat e ardhshme që janë të gatshme të regjistrojnë emigrantët si baba të fëmijëve të tyre të palindur, ka gjetur një hetim nga The Sun.

Në hetim thuhet se reklamat në TikTok po bëjnë thirrje për gra që janë shtatzënë dhe janë të gatshme që t’i japin atësinë e fëmijës një emigranti shqiptar, duke i vënë emrin në certifikatën e lindjes, në mënyrë që ai të shmangë dëbimin, duke pretenduar se ka një familje në Britani.

“Ne e zbuluam këtë pasi pamë se shifrat po kapin një rekord të ri, me 5400 persona që kanë kaluar Kanalin deri më tani për këtë vit”, shkruan The Sun, duke shtuar se llogaritë në TikTok ‘mburren’ me punën e tyre, duke thënë “Kemi gra dhe fëmijë. Nxitoni të regjistroni fëmijët me emrin tuaj”.

Trafikantët ndajnë imazhin e një bisede në WhatsApp të ruajtur në një telefon celular mes tyre dhe “Katy me fëmijën”.

Në të, "Katy" dërgon një foto të një skanimi të një foshnjeje, të cilës anëtari i bandës i përgjigjet: "Uau, ai duket shumë i mirë dhe i fortë. Mezi presim ta shohim atë.”

Ajo përgjigjet: ‘Po, gjithçka është në rregull’, duke marrë si përgjigje “Mirë. Do të njoftoj klientin.”

Një person në komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar tha për The Sun: “Marrëveshje të tilla janë bërë edhe mes ndërmjetësit dhe një gruaje britanike. Sipas marrëveshjes, kur fëmija lind, në certifikatën e lindjes shkruhet emri i një emigranti ilegal shqiptar. Pastaj duke përdorur ligjet për të drejtat e njeriut, ky person aplikon për leje qëndrimi. Është një mënyrë e re për të siguruar lejen për të qëndruar në Britani dhe përdoret nga njerëz që u është refuzuar azili nga Zyra e Brendshme dhe presin të dëbohen në çdo moment.

‘The Sun’ zbuloi edhe në Facebook persona që në grupe të ndryshme kërkonin t’i jepnin atësinë femijëve

Ata shprehen: “Nëse një grua është e divorcuar dhe ka një fëmijë deri 6 vjeç, unë mund të bëhen njerku i fëmijës”.

Shifrat e Home Office tregojnë se 13,714 shqiptarë kanë aplikuar për azil deri në mars 2023.

Ndërkohë vajtja e emigrantëve vazhdon, me 3,180 nga të gjitha vendet vetëm muajin e kaluar.

Numrat në rritje po bëjnë më shumë presion mbi Rishi Sunak i cili është zotuar të ndalojë anijet.

Plani i kryeministrit për të deportuar azilkërkuesit në Ruandë do të kthehet në Parlament në ditët në vijim.

Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha se mashtrimi duke përdorur certifikata false të lindjes është një shkelje serioze dhe “kjo është arsyeja pse ne kemi masa për ta parandaluar dhe zbuluar atë."

Burimi: The Sun. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë