Njerez

‘Emigrantët do kthehen në shtëpi ose do dërgohen në Ruanda’ OJQ-të dhe deputetët i kërkojnë Sunak tërheqjen e projektligjit

Më shumë se 60 OJQ, deputetë dhe zyrtarë i kanë shkruar kryeministrit të Britanisë Rishi Sunak duke i kërkuar atij që të tërheqë projektligjin e emigracionit të paligjshëm të Mbretërisë së Bashkuar, duke paralajmëruar se ai do të "kushtojë jetë".

Përpara debatit të komisionit të projektligjit të martën, nënshkruesit thonë se ky projektligj do t’u mohonte njerëzve që të ikin nga rreziku dhe e drejta e tyre për të kërkuar azil do të cënohej, thjesht sepse kanë hyrë ilegalisht në Britani.

“Nëse miratohet, ky legjislacion do të kushtonte jetë. Do të shkaktonte dëm për të mbijetuarit e skllavërisë moderne, të cilët po përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre. Sipas masave, shumë të mbijetuar nuk do të njiheshin si viktima, edhe në rastet kur ata janë mashtruar me oferta dhe dokumente të rreme pune, ose janë detyruar të kalojnë kufijtë përmes kërcënimeve dhe dhunës”, shkruhet në letër.

Letra e nënshkruar edhe nga deputetët e Laburistëve dhe Partia e Gjelbër ngre gjithashtu shqetësime për viktimat e shfrytëzimit që shpesh “lihen të përballen me problemet e tyre pa u ndihmuar nga shteti”.

Steve Valdez-Symonds, drejtor i programit për të drejtat e emigrantëve në Amnesty International, i cili është një ndër personat që ka nënshkruar, thotë se “Amnesty International” është e shqetësuar se ligji i fundit i qeverisë për emigracionin do të krijojë kushtet që skllavëria dhe abuzimet e ngjashme kriminale të lulëzojnë.

Projektligji nënkupton që të gjithë ata që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla ose në pjesën e pasme të kamionëve ose do të kthehen në vendin e tyre ose do të dërgohen në një vend të tretë, siç është Ruanda, pavarësisht faktit se skema e dëbimit të qeverisë në Ruanda është penguar nga sfidat ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë