Treg

“Emigracioni masiv dhe politikat jo nxitëse po vdesin bujqësinë e blegtorinë”

Sabina Veizaj - Punët e bujqësisë janë shumë të lodhshme dhe jofitimprurëse, në të njëjtën kohë mungojnë politikat nxitëse dhe motivuese për të rinjtë, të cilët masivisht kanë nisur të largohen nga fshatrat drejt qyteteve ose edhe jashtë vendit.

Ky është shqetëismi që ngre veterineri dhe eksperit i sigurisë ushqimore Ervin Resuli. Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave raportojnë se për vitin 2018 ka një rënie të krerëve dhe të prodhimit të qumshtit përkatësish me 1,7 dhe 1 %.

Veterineri Resuli duke njohur situatën në terren, tregohet skeptik në lidhje me statistikat e INSTAT duke u shprehur se gjendja është shumë më e rëndë.

Ai thotë për Gazetën “Si” se gjendja e bujqësisë dhe blegtorisë është përkeqësuar shumë sidomos dy vitet e fundit. Sipas tij në 5 vite nuk ka asnjë investim në këta sektorë. Sipas tij investimet e fundit janë bërë në 2013-2014-ën.

“1000 familje që kanë patur nga 4 lopë i kanë shitur, kjo do të thotë që janë biznese të mbyllura”- shpjegon ai.

Ervin Resuli

Eksperti Resuli thotë se në dy vitet e fundit vetëm në qytetin e Fierit ka një rënie me 4000 krerë gjedhë (lopë) kurse në rang kombëtar me 40-50 mijë. Për të imtat për të cilat mbahet Gjirokastra, Tepelena rezulton një rënie me 50 mijë në këto zona, në rang kombëtar rënia rezulton 300-400 mijë.

“Brezi i ri që duhet të trashëgojë biznesin familjar ka ikur dhe po ikën. Janë zbarzur fshatrat nga të rinjtë. Nuk ka politika atraktive për të mbajtur të rinjtë në fshat që të investojnë e punojnë si në vendet e rajonit dhe ato europiane. Bujqëisa është e vështirë dhe e lodhshme. Ajo që të mban është pasioni, por edhe ai mbaron nëse nuk ke të ardhura që rrjedhin. Nga puna ime e përditshme, ata që punojnë sot në bujqësi janë tek të 50-at. Për 5-10 vjetë ata do të ndalojnë së punuari dhe do ti mbyllin frermat e bizneset. Si do ti vejë halli i bujqësisë dhe blegtorisë?”, thotë Z. Resuli për Gazetën “Si”.

Por edhe ata që aktualisht punojnë se e kanë pasion bujqësinë e blegtorinë si vetë ai, thotë eksperti Resuli, janë të lodhur nga skemat e qeverisë dhe kostot e larta.
Ajo që mban peshën kryesore sipas tij në kosto është nafta.

“Në kohë fushate pune, një fermeri i duhet për traktorin 1 mln lekë (të vjetra) në ditë. Është si të lëshosh tankun në fushë për të punuar. Nafta kushton 173 lekë/litri. Paguajmë të gjitha taksat, si ai që shkon për tu argëtuar në plazh. Skema që të zhvillohet e të jetë e qnëdrueshme duhet të ndjekë skemën”- thotë Z. Resuli.

Prodhimi i qumshtit

Të dhënat e INSTAT për 2018-ën, tregojnë se prodhimi i qumështit nga lopët është afërsisht 974 ton, ose 0,9 % më pak, krahasuar me vitin 2017.

Prodhimi qumështit nga delet, për vitin 2018, ka pësuar një rënie me rreth 2,5 %, krahasuar me vitin 2017.

Prodhimi qumështit nga dhitë në vitin 2018 është 0,9 % më i ulët se një vit më parë. Eksperti Resuli shpjegon se aktualisht situata e qumshtit në vend është dramatike. Të gjithë agropërpunuesit e mëdhenj i janë drejtuar rajonit për shkak të çmimit të leverdisshëm.

Sipas tij një litër qumësht në rajon kushton 40 lekë sëbashku me doganën dhe rrugën. Në vend një litër qumësht kushton 47 lekë pa marrë parasysh transportin.
“Kostoja e prodhimit është shumë e lartë. Nuk jemi aspak konkurrues, megjithëse kemi kapacitete për ti zhvilluar dhe hapësira të mëdha ”- shprehet z. Resuli.

Ai i quan skemat e subvecionimit të qeverisë për fermerët lëmoshë, për të cilën ai thotë se fermeri ka nevojë të zhvillohet, jo për lëmoshë.

“Në 2017-ën ka patur aplikime dhe nuk janë marrë paratë, në 2018-ën thanë që do të aplikohej vetëm me një kartë identiteti e më pas u kërkuan 1001 dokumente. Këtë vit thanë për subvecion të 10 lekëshit, por ai nuk është subvecion, megjithatë edhe në këtë rast nuk mundën të aplikonin të gjithë, pasi koha e aplikimit 3 javë ishte shumë e shkurtër dhe e mundimshme që fermerët nga ana e anës të vijnë në qytet. Fermeri është i lodhur dhe i fyer. Këto janë skema elektorale”- thotë eksperti Resuli.

Ai e parashikon shumë të errët të ardhmen e sektorit, sepse siç e shpjegon ai edhe nëse qeveria do të hartojë dhe implementojë skema serioze afatgjatë me vision, kush do të punojë në fshatrat e zbrazur?!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë