Politike

Emërimi i Ibrahimit në KLP, PD: Investim politik i Edi Ramës

Emërimi i Gent Ibrahimit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka sjellë reagimin e Partisë Demokratike, e cila deklaron se kjo “është prova e kapjes politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë”.

Në një deklaratë për mediat, PD bën të ditur se Ibrahimi është një investim politik i kryeministrit Rama, i cili synon t’i shpëtojë drejtësisë.

“Eksperti i qeverisë për reformën në drejtësi dhe kunati i ish-ministres Kodheli nuk duhet ta kishte fare vendin në KLP. Por Genti Ibrahimi është aty si investimi politik i Edi Ramës për të kontrolluar sistemin e drejtësisë. PD ka denoncuar kohë më parë projektin e Edi Ramës për të emëruar kryetarët e dy organeve që qeverisin drejtësinë. Emërimi i sotëm provoi se shqetësimi i Partisë Demokratike ishte i drejtë”.

Sipas PD-së, “Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris. Me kapjen politike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Edi Rama synon t’i shpëtojë drejtësisë, duke kontrolluar dhe penguar SPAK-un të bëjë atë që shqiptarët presin me padurim: burg për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar e të lidhur me krimin”, - thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë