Rend dhe Ligj

Emërimet e reja në Polici, PD: Po promovohen të lidhurit me drogën

Partia Demokratike ka kontestuar dy emërimet e reja në Policinë e Shtetit, duke i cilësuar ato si drejtues të lidhur me trafiqet e lëndëve narkotike. Ish-deputeti i PD-së, Enkelej Alibeaj deklaroi se drejtori i ri i Policisë Rrugore, Edmond Targaj edhe drejtori i ri i Lezhës, Erigert Mitri janë përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
“Drejtori i ri i policisë së Lezhës Erigert Mitri ka dy pika kulminante në karrierën e tij, që e lidhin drejtpërsëdrejti me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Ai ishte shef i komisariati kur avioni i drogës ra në Divjakë dhe ndihmoi për fshehjen e provave të trafikut të drogës me avion. Drejtori i ri i Policisë në Lezhë, Erigert Mitri, njeri i Erion Braçes, ishte kryepolici që mbolli Burrelin me kanabis”, theksoi Alibeaj.
Për PD-në, edhe drejtori i ri i Policisë Rrugore Edmond Targaj njihet në Policinë e Shtetit si një nga drejtuesit e lartë të policisë i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e drogës.
“Edmond Targaj bashkëpunoi me disa grupe kriminale në zonën e Dibrës për ta mbjellë atë me kanabis gjatë kohës që drejtoi policinë e Dibrës dhe, bashkë me drejtues të tjerë të policisë, i shërbyen Edi Ramës për të vjedhur zgjedhjet. Edmond Targaj është graduar në detyrë duke qenë pjesë e dosjes 184”- tha Alibeaj.
Alibeaj thotë se PD i ka denoncuar të dy këta drejtues të inkriminuar të policisë që në vitin 2016, por nga mbrojtja politike, ata jo vetëm nuk janë ndëshkuar nga drejtësia, por po riciklohen sërish.

Mitat Tola pas shumë vitesh si drejtues, u shkarkuar si drejtor i Policisë Rrugore. Në vend të tij u emërua Edmond Targaj, i cili deri tani mbante detyrën e shefit të Sektorit në Forcën Lëvizëse Operacionale dhe më herët ka drejtuar edhe Policinë e Dibrës. Gjithashtu u shkarkuar nga detyra edhe edhe drejtori i policisë së Lezhës, Ferdinand Mara. Në vend të tij është emëruar Erigert Mitri emërohet drejtor i Policisë së Lezhës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë