Lajme

Eliminohet Egjipti, japin dorëheqjen presidenti dhe trajneri

“Tërmet” tek Egjipti i Mohamed Salah pas eliminimit nga Kupa e Afrikës. Vendi organizator është skualifikuar befasisht në fazën e 1/8-ve nga Afrika e Jugut, që shënoi golin e fitores 5 minuta para fundit të ndeshjes. Ishte një eliminim i dhimbshëm dhe me pasoja për një nga pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut.

Humbja e Egjiptit ka bërë bujë. Presidenti i Federatës Egjiptiane të Futbollit, Hani Abu Rida, ka paraqitur dorëheqjen dhe ka shkarkuar nga detyra trajnerin meksikan Havier Aguirre dhe gjithë stafin e tij. Kupa e Afrikës ishte një moment i rëndësishëm për rilindjen e futbollit egjiptian, pas incidenteve dramatike të së shkuarës. Presidenti i Federatës, Rida, e ka konsideruar një detyrim moral dorëheqjen, pasi Egjipti ka zhgënjyer gjithë tifozët. Pas humbjes, trajneri Aguirre kishte marrë përsipër përgjegjësitë. Ishte një mbrëmje mjaft e trishtë për Egjiptin.

Havier Aguirre, trajneri i shkarkuar nga Egjipti

"Jam përgjegjës për të gjitha zgjedhjet teknike dhe rezultatet, por jam gjithsesi krenar për këtë grup futbollistësh", - deklaroi trajneri meksikan, tashmë i shkarkuar nga detyra. “Të gjithë komponentët e futbollit egjiptian janë ftuar të japin dorëheqjen dhe disa prej tyre janë përgjigjur pozitivisht”, - shkruhet mes të tjerash në komunikatën zyrtare të Federatës së Egjiptit. Abu Rida ishte në krye të Federatës që nga viti 2016. Ai mbetet gjithsesi në komitetin organizator të Kupës së Afrikës për çështje përgjegjësie kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë