Lajme

Elbasan, vret shokun aksidentalisht me armë gjahu

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesnatën e mbrëmshme në Elbasan. Një 36-vjeçar është qëlluar me armë gjahu aksidentalisht nga shoku i tij rreth orës 23:00, teksa kishin dalë për gjah dhe si pasojë ka humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shelcan në një zonë të pyllëzuar.
Viktima është Ardi Bodurri, punonjës i shërbimit pyjor në Elbasan. I riu ka humbur jetën rrugës për në spital.
Ndërkohë, policia bën me dije se është vënë në pranga shtetasi P. Z., 27 vjeç, banues në Mlizë, Elbasan.
Nga veprimet e para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Elbasan dhe ata të Komisariatit të Policisë rezultoi se viktima së bashku me autorin dhe tre persona të tjerë kishin lidhje fisnore dhe krushqie me njëri-tjetrin. Ata kishin dalë me një mjet tip “Fuoristradë” me targa AA721EF për gjueti. Në momentin që ka gjuajtur gjahun, shtetasi P. Z aksidentalisht ka vrarë 36 vjeçarin, Ardi Bodurri.
Viktima ishte specialist i Pyjeve në Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe mjeti “Fuoristradë” është në pronësi të kësaj agjencie. Viktima ka pasur dhe autorizim për vrasjen dhe marrjen e mostrave nga dhelpra e kuqe për shkak të sëmundjes së tërbimit, projekt i autorizuar nga Ministria e Bujqësisë.
Grupi hetimor ka sekuestruar dy armë gjahu dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Në Komisariatin e Policisë Elbasan janë shoqëruar dhe tre persona të tjerë, ku nga veprimet e kryera u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasit P. Z.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë