Rend dhe Ligj

Ekzekutohet i afërmi i kryetares së Kolegjit të Apelimit

Një i afërm i kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkalla e fundit e organeve të vettingut është ekzekutuar me armë zjarri në Bjeshkën e Dobërdolit, në Tropojë.

Tahir Bajraktari, 69-vjeç u vra ditën e martë, më 18 shtator në fshatin Kasaj të Tropojës.

Ai është daja e Natasha Mulajt, që mban postin e kryetares së Kolegjit të Apelimit, trupa e të cilit shqyrton ankimimet e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të Komisionerit Publik për pakënaqësitë ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Por, ngjarja, sipas policisë së Kukësit nuk ka lidhje me detyrën e Natasha Mulajt. Drejtoria e Policisë së këtij qarku njofton se vrasja është kryer për motive të dobëta dhe se e ka identifikuar autorin.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur mesditën e së martës dhe autori i dyshuar është shtetasi 54-vjeçar me inicialet N.L., banues në Tiranë, për kapjen e të cilit po punohet ende.

Edhe i ndjeri Tahir Bajraktari jetonte në Tiranë, por shkonte në Bjeshkën e Dobërdolit çdo verë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë