Politike

Ekzekutohet biznesmeni në Shkodër, PD: Krimi ka kapluar vendin

Një biznesmen i ri është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi këtë të shtunë në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës, kur Arjan Ferracaku, 30 vjeç është qëlluar me kallashnikov.

Ekzekutimi ka ndodhur në periferi të qytetit dhe raportohet se viktima ka qenë hipur mbi një kalë në momentin që është vrarë.

Burime nga policia e Shkodrës bëjnë me dije se trupi i pajetë i tij është gjetur pranë një automjeti të djegur, por për momentin nuk është ende e qartë nëse mjeti i shkrumbuar ka lidhje me autorët, apo autorin e krimit.

Mësohet gjithashtu se ekzekutimi është kryer në prani të dy miqëve të 30-vjeçarit. Këta të fundit janë shoqëruar në komisariatin e Shkodrës për t’u marrë në pyetje dhe jozyrtarisht thuhet se që të dy ata kanë parë dhe njohur autorët e krimit, pasi ata kanë qenë të pamaskuar.

30-vjeçari njihej në qytetin e Shkodrës dhe të Velipojës si biznesmen dhe i apasionuar pas hipizmit. Kjo provohet edhe nga profili i tij në Facebook, ku një ditë më parë njoftonte organizimin e kurseve për të drejtuar kuajt.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kohën që ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj fliste nga Vlora për rritjen e sigurisë gjatë sezonit turistik, ndërsa në orët e pasdites ka reaguar Partia Demokratike përmes deputetit Ervin Salianji.

Deputeti i PD, Ervin Salianji

“Vrasja e sotme është në serinë e vrasjeve dhe rrëmbimeve të ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, ku në pak muaj ka patur 6 viktima, dy të zhdukur dhe 3 automjete të djegur. Familjarët dinë çdo motiv të krimeve që po kryhen nga bandat, edhe policia i di, edhe qytetarët e frikësuar flasin nën zë për autorët, por policia nuk ndërhyn për të gjetur autorët, sepse është ulur në prehrin e bandave me mbështetje politike”, deklaroi Salianji.

Deputeti demokrat thotë se vetëm dy ditë më parë opozita paralajmëroi se situata e sigurisë do të përkeqësohet në Shkodër, ndërsa për autorësinë e drejton gishtin nga bandat e lidhura me qeverinë.

“Sepse krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë janë më të forta se ligji. Bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin është arsyeja pse më Shkodër rregjistrohet sot viktima e pestë në pak muaj dhe policia nuk gjen autorët që i njohin të gjithë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë