Rend dhe Ligj

Ekzekutimi i biznesmenit Begalla në ish-Bllok, njëri i akuzuar fajtor, tjetri lirohet

Gjykata e Tiranës ka shpallur vendimin për Ardian Serezin dhe Denis Demirin, të cilët ishin nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla në zonën e ish-Bllokut, më 14 shkurt 2018.

Denis Demiri është cilësuar fajtor për vrasje dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie.

Ardian Serezi u lirua nga akuzat pasi ishte Prokuroria ajo e cila u tërhoq, pasi nuk kishte prova që ta implikonin në krim.

Ndërsa dyshohet se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë survejuar viktimën pranë banesës, e më pas, Serezi e ka qëlluar me një plumb në kokë.

Vrasja e biznesmenit Begalla ka ndodhur në shkurt të vitit 2018 dhe si të dyshuar për krimin, policia kapi në atë kohë shtetasit Denis Demirin dhe Ardian Serezin.

Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima.

Afrim Begalla, i cili ka ndërruar emrin në Memli Begalla rezulton që t’u ketë shumë personave borxh në shuma të mëdha eurosh dhe lekësh, madje me disa prej tyre ishte ende në procese gjyqësore. Ky mund të cilësohet edhe si krim i paralajmëruar pasi rreth 3 vite më parë Begallës, po të njëjtin vend ku u ekzekutua, iu dogj qëllimisht automjeti ‘Land Rover’ që kishte në përdorim. Sipas specialisteve të krimit ekonomik viktima kishte nën administrim disa biznese. Ishte administrator i kompanisë “LAB”, i 2 dyqaneve që tregtojnë goma, një në autostradë dhe një në Yzberisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë