Bota

Ekuadori në gjendje të jashtëzakonshme pas arratisjes së bosit të drogës nga burgu i Guajakilit

Gazeta Si - Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, përfshirë edhe në sistemin e vuajtjes së dënimit, pas arratisjes së “armikut publik nr.1”: Adolfo Macias, alias “Fito”, kreu i bandës më të madhe të trafikut të drogës.

“Sapo kam firmosur dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në mënyrë që policia të ketë të gjithë mbështetjen politike dhe ligjore në veprimet e saj”, ka shkruar Noboa në Instagram.

“Fito” u ndalua në burgun e Guajakilit, ku vuante dënimin me 34 vite burg që prej vitit 2011 për krim të organizuar, trafik droge dhe vrasje.

Ai do të transferohej në një strukturë të sigurisë maksimale në të njëjtin qytet të dielën. I dënuari u arratis më 25 dhjetor, gjatë një kontrolli mjekësor. Rreth 3 mijë agjentë janë në gjurmët e tij.

Kështu, ushtria është e autorizuar të ruajë rendin publik në rrugët dhe burgjet e vendit, ku është vendosur edhe shtetrrethimi gjatë natës midis orës 23:00 dhe 5 të mëngjesit me orën lokale.

Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, policia njoftoi se të paktën katër oficerë ishin rrëmbyer. Në qytetin bregdetar të Machala "tre policë, të cilët ishin në detyrë u rrëmbyen", ndërsa një oficer i katërt u kap në kryeqytetin Kuito, tha policia në rrjetin “X”.

Incidentet shpërthyen në të paktën gjashtë burgje, në disa raste me marrjen e peng të rojeve.

Për Presidentin e Republikës Daniel Noboa, kjo është kriza e parë e madhe e sigurisë më pak se dy muaj pas betimit të tij.

Tre ditë më parë, Fabricio Colón Pico, një nga drejtuesit e bandës së Los Lobos, i akuzuar nga Prokurorja e Përgjithshme Diana Salazar se donte ta vriste, u arrestua.

Nga frika se do të transferohej në burgun e sigurisë maksimale në La Roca, Pico dyshohet se inkurajoi trazirat e burgjeve dhe protestat në favor të tij.

Në Riobamba, 216 kilometra në jug të Kuitos dhe në vetë kryeqytet, pati protesta në favor të shefit të Los Lobos.

Dhjetëra persona kanë bllokuar rrugët e qarkullimit me tabela me sloganin: “Mos tentativa për të vrarë. Jo transferimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë