Rend dhe Ligj

Ekstremisti nuk lejon fëmijët në shkollë, kërcënon të vrasë policët

Policia e Kamzës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në Kamëz ku shtetasi Ronald Kryemadhi pasi ka kanosur se do vriste policët që kishin shkuar për ta shoqëruar, është vetëdorëzuar.

Mësohet se Kryemadhi nuk pranonte të çonte tre fëmijët në shkollë dhe thoshte se ata i shkollon Allahu.

Gjykata kishte urdhëruar që Kryemadhi të paraqitej sot dhe policët kanë shkuar për ta shoqëruar atë, por ai i ka refuzuar. Kryemadhi dyshohet të jetë ekstremist.

Policia thotë se në momentin që kanë hyrë në banesë ky shtetas ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë.

Në ndihmë të policisë së Kazmës kanë shkuar edhe forcat e Drejtorisë së Policisë Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë.

Ndërkohë, pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, ky i fundit,  pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa.

Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, për veprimeve të mëtejshme.

Grupi hetimor vijon kontrollin në banesë, për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë