Lajme

Ekstradohet Izet Haxhia, ish truproja i Berishës rikthehet në Tiranë pas 19 vitesh

Sic ishte njoftuar, Izet Haxhia mbërriti nga Turqia në aeroportin “Nënë Tereza” pak pas orës 20:00 të mbrëmjes së 8 majit. Ish truproja i Sali Berishës, në kohën që ishte President i vendit, akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998 dhe është dënuar në mungesë, nga gjykatat shqiptare me 25 vite burg.  Haxhia qëndronte në arrati prej 19 vitesh dhe në muajin prill u vetëdorëzua në policinë turke, me qëllim ekstradimin në vendin tonë.

"Meqë nuk erdhën të më marrin, u dorëzova vetë në policinë turke”, - kështu shkruante në Facebook, Izet Haxhia para se të vetëdorëzohej.

Dy punonjës të RENEA-s shoqëruan Izet Haxhinë nga Ankaraja në Rinas, ku iu dorëzua autoriteteve shqiptare. Haxhia u dërgua në burgun e sigurisë së lartë 313, nga ku do të presë të paraqitet në gjykatë, pasi do të njihet edhe ligjërisht me dënimin që ka marrë në vitin 2002. Izet Haxhia është larguar nga vendi ynnë pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998 dhe gjithmonë ka mohuar akuzat për pjesëmarrje në vrasjen e Azem Hajdarit.

Ish Kryeministri Berisha i ftuar në emisionin “360 gradë” të Artur Zhejit deklaroi se me ekstradimin e Izet Haxhisë në Tiranë, u shtua edhe një kriminel në krah të Edi Ramës.

Kryeministri Rama iu përgjigj akuzës së Berishës nga emisioni “Top Show Magazine” duke u shprehur së është 100 përqind jashtë cështjes së Izet Haxhisë, pasi i përket drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë