Nga Gazeta ‘Si’- Edhe në tetor, eksportet kanë vijuar trendin rënës.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, eksportet arritën vlerën e 37 mld lekëve, duke u ulur me 4.3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa krahasuar me shtatorin, eksportet janë rritur me 8.8%.
Për dhjetë muajt e parë të vitit, eksportet arritën vlerën e 370 mld lekëve, duke u ulur me 8.6 % krahasuar me një vit më parë.
Grupet kryesore që kanë ndikuar në këtë rënie janë:“Tekstile dhe këpucë” me 3.6%, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me 0.8% dhe “Prodhime druri dhe letre” me 0.8%.
Eksportet e tekstileve kanë shënuar rënien më të madhe që nga pandemia. Më herët, kryetari i Shoqatës "Pro Export", Edvin Prençe deklaroi për Gazetasi.al se sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros.
Shtrenjtimi i kostove ka detyruar bizneset e sektorit të kërkojnë rritje të çmimeve, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë pranuar nga klientët europianë, që u janë drejtuar vendeve te tjera Ballkanike (Maqedoni e Veriut, Serbi e Bosnjë) ose vendeve të Afrikës (Tunizi, Marok e Egjipt). Ai deklaroi se janë mbi 75 mijë vende pune në rrezik.
Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 0.5% dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 0.4%.

Importet e mallrave në tetor arritën vlerën e 78 mld lekëve, duke u ulur me 6.3 % krahasuar me një vit më parë.
Më negativisht në importe ka ndikuar grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6.4% “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.2% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 1.2%.
Ndërsa për 10-mujorin, importet janë tkurrur me 8.6% krahasuar me një vit më parë.
Ulet deficiti tregtar
Sipas të dhënave të INSTAT, deficiti tregtar i këtij muaji është 42 mld lekë, duke u ulur me 7.9% krahasuar me tetorin e vitit të shkuar.
Për 10-mujorin, deficiti tregtar arriti vlerën 358 mld lekë, duke u ulur me 4.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit.
Eksportet bien me Italinë, Gjermaninë e Spanjën
Referuar INSTAT, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve krahasuar me tetorin e kaluar janë: Italia (4.2 %), Gjermania (26.2 %), Spanja (40%), etj.
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (12.9 %), Greqia (0.7 %), Turqia (202.9 %), etj.
Edhe për 10-mujorin vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (9.4 %), Gjermania (30.7 %), Spanja (6.2 %), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (12.1 %), Greqia (15.5 %), Maqedonia (3.4 %), etj.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 57.4 % të gjithë tregtisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.