Treg

Eksportet u ngadalësuan në shkurt, frenohen tekstilet

Nga Gazeta 'Si' - Ritmet e rritjes së eksporteve janë ngadalësuar në shkurt.

Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e mallrave arritën 38 mld lekë duke u rritur me 2.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë. Në krahasim me janarin, eksportet janë ulur me 8.9%.

Për dy muajt e parë, eksportet e mallrave arritën vlerën 80 mld lekë, duke u rritur me 11.2%.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur të gjitha grupet po rriteshin me ritme të shpejta në vlerë, për shkak si të rikuperimit pas pandemisë ashtu dhe të çmimeve të larta, këtë vit grupet më të mëdha po shfaqin ecuri të dobët.

Sipas INSTAT, gjatë shkurtit në rritjen e eksporteve prej 2.8% kanë ndikuar pozitivisht grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 2.6 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 2 pikë përqindje.

Gjithashtu pozitivisht ka ndikuar dhe grupi i “Tekstile dhe këpucë” me 1.2 pikë përqindje.

Tekstilet dhe këpucët kanë qenë historikisht grupi më i madh eksportues në vend, ndërsa në janar-shkurt u renditën të dytët me 28% të totalit, me një diferencë të vogël me “mineralet e lëndët djegëse” (28.4%).

Ndërsa grupet: që kanë ndikuar negativisht janë “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 1.9 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me 1 pikë përqindje.

Ulet deficiti tregtar

Importet e mallrave arritën vlerën 69 mld lekë, duke u rritur me 1.1%, në krahasim me një vit më parë dhe me 19.4%, në krahasim me janarin.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 31 mld lekë, duke u ulur me 0.8%, krahasuar me shkurtin e vitit të shkuar dhe duke u rritur me 93.2% krahasuar me janarin.

Në këtë dymujor importet e mallrave arritën vlerën 128 mld lekë, duke u rritur me 3.2%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 47 mld lekë, duke u ulur me 8.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Rriten eksportet në Greqi e Spanjë, ulen në Itali

Në shkurt, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë Greqia (92.6%), Spanja (640.3%) dhe Austria (34.6%).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (1.2%), Kosova (20.4%) dhe Gjermania (30.9%).

Gjatë këtij dymujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Greqia (87.1%), Kosova (2.8%) dhe Maqedonia e Veriut (61.2%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Italia (2.6%), Gjermania (23.8%) dhe Kina (27.3%).

Gjatë shkurtit vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, janë: Italia (0.9%), Kina (63.5%) dhe Gjermania (8.1%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me shkurtin e vitit të shkuar janë: Turqia (0.9%), Greqia (19.7%) dhe Maqedonia e Veriut (10.9%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61.5%, të gjithë tregtisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë