Treg

Eksportet sërish me tkurrje të ndjeshme, u ulën 17.3% në qershor

Nga Gazeta 'Si'-Eksportet e mallrave janë tkurrur për të katërtin muaj radhazi.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në qershor eksportet arritën në vlerën e 38 mld lekëve, duke u ulur me 17.3% krahasuar me qershorin e 2022-shit.

Për gjysmën e parë të vitit eksportet e mallrave arritën vlerën 234 mld lekë, duke u ulur me 7.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë.

Grupet kryesore që kanë ndikuar në këtë rënie janë mineralet e lëndët djegëse, tekstilet e këpucët si dhe materialet e ndërtimit e metalet, përkatësisht me 4.5%, 8.5% dhe 6.8%.

I vetmi grup që ka shënuar rritje është ai i ushqimeve, pijeve e duhanit me 4.6%.

Madje, në qershor, ky grup ka kaluar për herë të parë në historinë e eksporteve në të dytin më të madh në vend, pas tekstileve e këpucëve.

Ndërsa grupet që kanë ndikuar më negativisht në raport vjetor gjatë gjysmës së parë të vitit janë materialet e ndërtimit dhe metalet me 6.8% dhe mineralet, lëndë djegëse dhe energji elektrike me 2.2%.

Importet e mallrave në qershor arritën vlerën 75 mld lekë, duke u ulur me 7.5%, në krahasim me një vit më parë dhe me 6.8 %, në krahasim me një muaj më parë.

Më negativisht ka ndikuar grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 7.9 pikë% dhe më pozitivisht ai i “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.2%.

Ndërsa për gjashtëmujorin, importet janë ulur me 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë.

Rritet deficiti tregtar

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 37 miliard lekë, duke u rritur me 5.4%, krahasuar me qershorin e 2022-shit dhe ulur me 9.6% krahasuar me një muaj më parë.

Në këtë gjashtëmujor deficiti tregtar arriti vlerën 204 mld lekë, duke u rritur me 5.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Bien eksportet drejt Italisë, Greqisë e Spanjës

Sipas INSTAT, në qershor vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, krahasuar me një vit më parë janë: Italia (9.4%), Greqia (40.7%) dhe Spanja (47.9%).

Ndërsa, vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Zvicra (34.8%), Kina (10.1%) dhe Ukraina (63.0%).

Gjatë gjysmës së parë të vitit vendet me të cilat Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10.6%), Gjermania (30.3 %) dhe SHBA (57.8%).

Ndërsa, vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Spanja (67.0%), Greqia (16.1%) dhe Maqedonia (12.4%).

Gjatë qershorit vendet me të cilat Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Italia (6.4%), Kosova (46.5%) dhe Rusia (77.3%). Ndërsa, vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me qershorin e 2022-shit janë: Kina (50.6 %), Gjermania (15.2%) dhe SHBA (48.8%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59.2%, të gjithë tregtisë.

Në qershor eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75.6% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50.9 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29.6%), Kina (9.0%), Turqia (7.2%) dhe Greqia (6.8%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë