Treg

Eksportet nisin pozitivisht vitin, 20% për janarin. Rritja më e madhe me vendet e rajonit

Eksportet e kanë nisur me rritje edhe këtë vit.

Sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e mallrave në janar arritën në vlerën 42 mld lekë duke u rritur me 20.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë. Ndërsa krahasuar me dhjetorin, rritja është me 4.6%.

Importet e mallrave arritën vlerën 58 mld lekë, në rritje me 5.8 % në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me 88.5 % krahasuar me dhjetorin e vitit të shkuar.

Në rritjen e eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 12.9 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 3.7 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 1.6 pikë përqindje.

Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me 0.8 pikë përqindje.

Rriten eksportet me rajonin, bien me Italinë

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë janarit, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të shkuar janë: Maqedonia (207.5 %), Kosova (31.4 %) dhe Greqia (81.6 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (4.1 %), Gjermania (17.7) dhe Kina (24.2 %).

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Kina (27.4 %), Gjermania (16.2 %) dhe SHBA-ja (67.1 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me janarin e 2022-shit janë: Italia (12.3 %), Turqia (4.4 %) dhe Greqia (7.1 %).

Eksportet drejt vendeve të BE-së gjatë janarit zënë 68.8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 4.9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27.5 %), Turqia (7.2 %) dhe Greqia (7.0 %).

Në rritjen e importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.1 pikë përqindje, “ Produkte kimike dhe plastike” me 1.8 pikë përqindje dhe “Ushqim, pije, duhan” me 1.3 pikë përqindje.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 16 mld lekë, duke u ulur me 19.4 %, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të shkuar dhe me 70.3 % krahasuar me dhjetorin e 2022-shit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë