Treg

Eksportet në rënie për të pestin muaj radhazi, u ulën 4% në korrik

Nga Gazeta 'Si'-Eksportet e mallrave janë tkurrur për të pestin muaj radhazi.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në korrik eksportet arritën vlerën e 38 mld lekëve, duke u ulur me 4% krahasuar me korrikun e 2022-shit.

Për shtatë muajt e parë të vitit eksportet e mallrave arritën vlerën e 272 mld lekëve, duke u ulur me 7% krahasuar me një vit më parë.

Grupet kryesore që kanë ndikuar në këtë rënie janë “Materiale ndërtimi dhe metale” me 8.7%, “Tekstile dhe këpucë” me 1.8%, “Prodhime druri dhe letre” me 1.1%.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet e mineralëve dhe lëndëve djegëse dhe ushqimeve, pijeve e duhanit, përkatësisht me 6.9% dhe 2%.

Importet e mallrave në korrik arritën vlerën e 71 mld lekëve, duke u ulur me 13,6 %, në krahasim me vitin e shkuar dhe me 6% krahasuar me një vit më parë.

Më negativisht ka ndikuar grupi i “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 6.8%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.4% dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 2.8%.

Ndërsa për shtatë muajt e parë të vitit, importet janë tkurrur me 3.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Ulet deficiti tregtar në korrik

Sipas të dhënave të INSTAT,deficiti tregtar i këtij muaji është 33 mld lekë, duke u ulur me 22.6 %, krahasuar me korrikun e vitit të shkuar dhe me 11.6 % krahasuar me një muaj më parë.

Në këtë shtatëmujor deficiti tregtar arriti vlerën 237 mld lekë, duke u rritur me 0.8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit.

Eksportet bien me Italinë, rriten me Kosovën

Referuar INSTAT, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me korrikun e vitit të shkuar janë: Italia (10.6 %), Austri (78.4 %), SHBA (63.4 %), etj.

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (24.3 %), Greqia (12.2 %), Mbretëria e Bashkuar (1.632.8 %), etj.

Gjatë këtij shtatëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (10.6 %), Gjermania (23.8 %), Kina (32.7 %), etj.

Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kosova (7.7 %), Greqia (15.6 %), Spanja (57.9 %), etj.

Në korrik vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, janë: Italia (7.4 %), Turqia (16.3 %), Greqia (29.8 %), etj.

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar janë: Kina (10.1 %), Gjermania (6.5 %), SHBA (28.2 %), etj.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 59,2 %, të gjithë tregtisë.

Në korrik eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75.6 % të eksporteve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31.2 %), Kina (7.8 %), Gjermania (6.6 %) dhe Greqia (6.5 %).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë