Treg

Eksportet e Kinës rriten papritur por ekonomistët paralajmërojnë dobësi

Eksportet e Kinës u rritën papritur në mars. Zyrtarët përmendën rritjen e kërkesës për automjete elektrike, por analistët paralajmëruan se ky përmirësim i pjesshëm, reflekton furnitorët që kanë plotësuar kërkesën e papërmbushur, si pasojë e ndërprerjes së furnizimeve për shkak të COVID-19 vitin e kaluar.

Eksportet në mars u rritën me 14.8% krahasuar me një vit më parë, duke kundërshtuar rënien e pesë muajve rresht, si dhe duke mahnitur ekonomistët, që kishin parashikuar një rënie prej 7.0%.

Por, analistët thonë se kjo rritje kishte më shumë gjasa të lidhej me eksportuesit, që nxitonin për të përmbushur një sasi të madhe të porosive, që ishin ndërprerë nga pandemia në muajt e kaluar dhe paralajmëruan se perspektiva e kërkesës globale mbetet e pasigurt.

“Vala e shpërthimeve të COVID në dhjetor dhe janar, ka të ngjarë të varfërojë inventarët e fabrikave. Tani që fabrikat po funksionojnë me kapacitet të plotë, ata po plotësojnë porositë e grumbulluara nga e kaluara,” tha Zhiwei Zhang, kryeekonomist në Pinpoint Asset Management.

“Rritja e fortë e eksporteve, nuk ka gjasa të mbahet, duke pasur parasysh perspektivën e dobët makro globale,” shtoi ai.

Ndërkohë, importet ranë më pak se sa pritej, dhe ekonomistët theksuan një përshpejtim të blerjes së produkteve bujqësore, veçanërisht të sojës.

Importet ranë vetëm 1.4%, më pak se parashikimi i rënies prej 5.0% dhe një tkurrje 10.2% në dy muajt e mëparshëm. Rritja e importeve të naftës bruto, hekurit dhe sojës gjatë këtij muaji, u kompensua nga rënia e importeve të bakrit.

Tregjet financiare morën pak optimizëm nga të dhënat pozitive të eksporteve, pasi investitorët mbetën të kujdesshëm në lidhje me perspektivën, megjithëse dollari australian, i parë si një tregues për kërkesën kineze për mallra, u rrit paksa.

Lv Daliang, zëdhënësi i Administratës së Përgjithshme të Doganave, ia atribuoi rritjen, kërkesës për automjete elektrike, produkte diellore dhe bateri litium.

Megjithatë, ai paralajmëroi se kushtet mund të përkeqësohen në të ardhmen.

“Kërkesa e ngadaltë e jashtme dhe faktorët gjeopolitikë do të sjellin sfida më të mëdha për zhvillimin tregtar të Kinës”, shtoi ai.

Performanca e fortë e Kinës, është në kontrast me atë të eksportuesve të tjerë aziatikë, si Koreja e Jugut dhe Vietnami, të cilët kanë parë rënie të eksporteve në muajt e parë të vitit 2023.

“Ne nuk jemi të bindur se ky rikthim do të ruhet, duke pasur parasysh perspektivën ende të zymtë për kërkesën e huaj,” thanë analistët e Capital Economics.

Sondazhet e fabrikave, treguan se porositë e eksporteve ranë në mars, një kontrast me leximet më optimiste për sektorin e shërbimeve, i cili ka përfituar nga rihapja e Kinës.

Kryeministri i sapoemëruar i Kinës, Li Qiang, tha në një takim të kabinetit javën e kaluar, se zyrtarët duhet të “provojnë çdo metodë” për të rritur tregtinë me ekonomitë e zhvilluara dhe për t’i shtyrë kompanitë të eksplorojnë më tej në ekonomitë e tregut në zhvillim, si ato të Azisë Juglindore.

Pekini ka vendosur një objektiv rritjeje prej rreth 5% për produktin e brendshëm bruto (PBB) këtë vit, pasi kontrollet e rënda për shkak të pandemisë vitin e kaluar, e ulën ekonominë në një nga ritmet e saj më të ngadalta në dekada. PBB-ja u rrit vetëm 3% vitin e kaluar.

Burimi: Reuters/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë