Menaxhim

Eksperti: Fasha e energjisë do të ulë konsumin dhe do të shmangë kufizimet

Nga Gazeta 'SI' - Masa e parë e menaxhimit të krizës energjitike në Shqipëri, pritet të japë rezultat pozitiv në konsumin e përgjithshëm të energjisë elektrike në vend dhe në menaxhimin e sasisë në dispozicion.

Kështu thotë edhe eksperti i energjisë, Lorenc Gordani për Gazetasi.al, duke pranuar se fasha 800KWh do të nxisë kursimin e energjisë nga familjarët dhe do të shmangë shkëputjet e mundshme të rrymës.

“Konsumatorët i bëjnë reduktimet kur kuptojnë se i preken financat”, thotë Gordani duke shtuar se mund të menaxhohet përdorimi i pajisjeve shtëpiake, por jo mospërdorimi i tyre.

Eksperti i energjisë, Lorenc Gordani, Gazeta 'SI'

Sipas ekspertit, ata që preken përtej fashës janë një numër i vogël konsumatorësh, në një vend si Shqipëria, ku përdorimi i energjisë elektrike është anomali, sidomos për ngrohjen e ujit dhe gatimin, ku në të gjithë Europën përdoret gaz natyror.

Vendosja e çmimit prej 42 lekësh/KWh deri në dhjetor të këtij viti për tepricën e energjisë që konsumohet përtej shifrës së 800 kilovatorëve, sipas ekspertit do të nxisë më shumë reduktimin e përdorimit të energjisë, çka do të reflektohet me lehtësime më vonë.

“Çmimi do të rishikohet përsëri në fund të vitit. Unë besoj se do të ketë lehtësime sapo të ketë një sinjal që konsumi është ulur. Ka familje që kanë shumë fëmijë apo kanë pajisje shëndetësore në shtëpi dhe harxhojnë shumë”, shprehet Gordani.

Më herët gjatë ditës, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se nga fasha pritet që konsumi i energjisë elektrike të bie me 2.5% deri në fund të vitit dhe se më 31 dhjetor çmimi do të rishikohet.

Kryeministri Rama tha se 42 lekë për kilovatorë është pasqyrimi i çmimit të tregut në faturën finale. Ai përsëriti në Kuvend, se qeveria do të ndihmojë familjet dhe bizneset e vogla e jo më vilat me pishina e që ndezin kondicionerin me dritaret hapur.

Për herë të parë, fasha e energjisë u rikthye në fokus në mars të këtij viti, kur kreu i qeverisë tha se po bëhet një studim për të hequr nga kjo mbrojtje e plotë familjet që konsumojnë shumë energji “pasi jetojnë në kushte shumë të mira”. Më vonë, detajet u dhanë nga ministrja Balluku, që pati lajmëruar një fashë prej 700KWh dhe hoqi mundësinë e vendosjes së çmimit të tregut në faturën e familjeve. “Nuk i ndajmë dot në të pasur e të varfër, por përdorues me sasi të mëdha të kilovatorëve”, deklaroi ajo.

Në vitin 2013, ishte vetë Rama, që sapo mori mandatin e tij të parë, hoqi fashën energjitike në vend. Fasha e vendosur në atë kohë ishte 300 kw për orë. Familjet që harxhonin energji më pak se kjo shifër e paguanin atë me 7 lek/kilovat, ndërsa familjet që e tejkalonin atë e paguanin me 13.5 lek/kilovat.

Rama e hoqi këtë fashë duke e mesatarizuar çmimin e energjisë elektrike për të gjithë në 9.5 lek/kilovat.

Atëherë në një nga deklarimet publike, kryeministri Rama do të thoshte se: “Heqja e fashës dhe vendosja e çmimit mesatar fiks i jep fund vjedhjes masive dhe vendos një sistem të drejtë ku askush nuk mund të shmanget në kurriz të më të varfërve, siç ka ndodhur deri sot. Kush nuk është pensionist kryefamiljar, invalid apo anëtar i një familjeje me ndihmë ekonomike, nuk do të paguajë më shumë, po vetëm aq sa i takon në bazë të konsumit që bën. Të tjerat janë spekulime të turpshme për interesa të ulëta politike ose thjesht hesape të gabuara, për faj të të mësuarit keq duke e shpenzuar energjinë si mall pa zot!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë