Treg

A mund të vjedhin sërish më të pasurit që konsumojnë energji mbi 700kwh?!

Rikthimi i fashës dhe antagonizmi i qeverisë për modelin

Nga Gazeta "Si" - Në 2014 socialistët e ardhur në pushtet një vit më parë, të gjendur përballë një grope të thellë financiare të krijuar nga borxhet, mosarkëtimet, vjedhjet e energjisë, vendosin të heqin fashën mbrojtëse të konsumit prej 300 kwh poshtë së cilës çmimi faturohej me 7.7 lekë për kwh. Vendimi do të pasohej me vendosjen e një çmimi unik prej 9.5 lekësh pa TVSH për çdo familje, pavarësisht se sa konsumonte dhe sa i kishte të ardhurat.

Edhe pse nën një trysni të madhe nga opozita dhe një pakënaqësie të publikut, qeveria nuk u ndal. Atëherë në një nga deklarimet publike, kryeministri Rama do të thoshte se:

“Heqja e fashës dhe vendosja e çmimit mesatar fiks i jep fund vjedhjes masive dhe vendos një sistem të drejtë ku askush nuk mund të shmanget në kurriz të më të varfërve, siç ka ndodhur deri sot. Kush nuk është pensionist kryefamiljar, invalid apo anëtar i një familjeje me ndihmë ekonomike, nuk do të paguajë më shumë, po vetëm aq sa i takon në bazë të konsumit që bën. Të tjerat janë spekulime të turpshme për interesa të ulëta politike ose thjesht hesape të gabuara, për faj të të mësuarit keq duke e shpenzuar energjinë si mall pa zot!”

Kryeministri i vendit dhe kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në atë kohë, Arben Seferi justifikonin herë pas here heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 kwh/orë, me abuzime të qytetarëve dhe punonjësve të OSHEE-së.

Sipas OSHEE, sistemi i tarifave me dy blloqe (e ashtuquajtura tarifë sociale) duhet të hiqet për shkak se nuk përmbush aspak qëllimin e saj të synuar teksa e gjithë popullata është përfituese e një “subvencioni” të tillë, jo vetëm konsumatorët në nevojë

Vendimin që hyri në fuqi në 2015 opozita e atëhershme e konsideronte vjedhje ndaj publikut dhe se kjo ishte një rritje e fshehur e çmimeve pasi do të prekeshin siç pohoi edhe Enti Rregullator rreth 56% e familjeve shqiptare.

Megjithëse kanë kaluar gati 7 vjet nga ajo kohë, socialistët këtë radhë në mandatin e tretë qeverisës vendosën t’i ktheheshin sërish modelit të fashës.

Vendimi i shprehur publikisht kaloi mes një kakofonie deklaratash.

Në fund të marsit 2022, Edi Rama paralajmëroi në Kuvend, skemën e re të faturimit për familjet që konsumonin më shumë, por përjashtoi fashën e konsumit, madje e quajti atë të tmerrshme.

"Në këtë paketë, ne i qëndrojmë, edhe sot që flasim, asaj që kemi vendosur të bëjmë, që nuk do ta rrisim çmimin e energjisë elektrike për asnjë familje shqiptare. Në ndërkohë, Ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura, jo për të rikthyer ato fashat e tmerrshme që na çuan në katastrofë totale dhe na lanë në buzë të humnerës në vitin 2013, por për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë në faturën e energjisë", thotë Kryeministri.

Dy javë më pas, të mërkurën e 14 prillit, ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku njoftoi se është vendosur tashmë fasha e konsumit të energjisë prej 700 kwh dhe familjet që e kalojnë këtë shifër do të paguajnë çmimin real nga bursa.

“Nuk i ndajmë dot në të pasur e të varfër, por përdorues me sasi të mëdha të kilovatorëve”, deklaroi ajo.

Nëse do të besojmë qeverinë se përmes sistemit të fashës vidhej dhe ato që vidhnin ishin familjet që konsumonin mbi 300 kwh, pra të pasurit. A mos vallë dhe me fashën e re prej 700 kwh do të vidhet prapë, por tani do të vjedhin më të pasurit?!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë