Politike

“Venecia” në Tiranë, për ligjet nga “populli” dhe vettingun e PD

Të mërkurën në Tiranë do të zbarkojnë ekspertët e Komisionit të Venecias. Arsyeja e vizitës më 19 shtator ka të bëjë me projektligjin e veçantë që po shqyrtohet nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, "Për nismën ligjvënëse të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj që është paraqitur nga dy deputetët e PS-së, Taulant Balla e Vasilika Hysi synon t’u krijojë mundësinë reale qytetarëve që të dërgojnë në Kuvend propozime të plota ligjesh për miratim, ose të ndërmarrin nisma, sipas të cilave t'i kërkojnë Kuvendit të shqyrtojë çështje/ligje me iniciativën e tij.

Për shkak se gjatë diskutimeve ka pasur në komisionin e Ligjeve kjo nismë ka patur kundërshtime, kryeparlamentari Ruçi më 27 korrik i është drejtuar me anë të një shkrese Komisionit të Venecias për dhënien e ekspertizës ndërkombëtare.

Gjithashtu veç ekspertëve të Venecias, mësohet se delegacioni ka në përbërje edhe përfaqësues të OSBE-së.

Sipas praktikës dhe sipas asaj që njofton vetë Komisioni i Venecias, ekspertët do të diskutojnë me përfaqësuesit e Parlamentit mbi këtë nismë të ndërmarrë për të përgatitur më pas draft-opinionin, i cili do të publikohet në sesionin që do të mbajë ky institucion, në muajin tetor.

Sipas burimeve, edhe pse ekspertët janë të përcaktuar për fushën konkrete, gjatë takimeve me kryeparlamentarin Ruçi, me deputetët propozues, ku nuk përjashtohen as takimet me përfaqësues të opozitës, mund të ceket edhe çështja më e fundit e cilësuar si “patatja e nxehtë” e politikës, nisma e Partisë Demokratike për ndryshimin e Kushtetutës për realizimin e Vettingut në politikë.

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci, gjate punimeve te seances se pare te legjislatures se 9 parlamentare

Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi kanë deklaruar se amendamentet më të fundit të PD-së për ndryshimin e Kushtetutës do t’i dërgojnë në Komisionin e Venecias për dhënie ekspertize. Kjo bazuar në praktikat e mëparshme që janë ndjekur për nisma të ndryshme ku palët, pozita dhe opozita nuk kanë pasur dakordësi.

Qëndrimi i socialistëve është kundërshtuar nga ana e demokratëve, pasi e konsiderojnë si një përpjekje për ta çuar nismën e Vettingut në politikë në “kalendat greke”. Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi një prononcim të dhënë disa ditë më parë, e cilëson si përpjekje për ta zvarritur nismën e firmosur nga ana e 44 deputetëve të opozitës për ndryshimin e Kushtetutës.

Deputetet, Enkelejd Alibeaj, Ulsi Manja, Oerd Bylykbashi, Klotilda Ferhati, Vasilika Hysi, Bledi Cuci, gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Ligjeve. FOTO LSA

“Fakti që ne kemi zgjedhur që të përdorimin pikë për pikë, tekstin e Kushtetutës për Vettingun e krimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ky tekst ka marrë një vlerësim nga ana e Komisionit të Venecias, praktikisht është një fazë e dytë e Dekriminalizimit dhe për Dekriminalizimin Komisioni i Venecias është shprehur në favor të largimit të personave të lidhur me krimin. Pra ka marrë dy herë përgjigje pozitive në favor të asaj që propozojnë ne. Nuk është gjë tjetër veçse tregon se zoti Rama ka merakun që kjo gjë të mos bëhet”, deklaron Bylykbashi.

Por, mazhoranca në qëndrimet e saj pretendon se nisma më e re e opozitës për të Vetting në politikë dublon institucionet e reja që pritet të ngrihen nga organet e drejtësisë si Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) . Dhe pikërisht përplasja për hetimin duket se është do të jetë edhe objekti i kërkesës së PS-së drejt Komisionit të Venecias.

“Merakut” të PS-së për mbivendosje apo marrja kompetencash, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi i është kundërpëgjigjur duke i hedhur poshtë këto pretendimet të ngritura. “Asgjë nuk pengon sot që korrupsioni i zyrtarëve publikë, deputetë, ministra, gjyqtarë të hetohet dhe të dënohet dhe pasuria të vëna me korrupsion të sekuestrohen. Këto i kemi miratuar në Kushtetutë me krijimin e SPAK dhe BKH-së”, thekson Bylykbashi. Sipas demokratëve edhe pse procedura që do të ndiqet me Vettingun e politikanëve është e njëjtë me dekriminalizimin dhe me vettingun e nisur ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe se gjithashtu po punohet për hartimin e një projektligji të posaçëm për të përcaktuar instrumentet që do të realizojnë kontrollin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

Procedura e Komisionit të Venecias dhe afati i shqyrtimit

Nga nje mbledhje e Komisionit te Venecias

Sipas praktikës Komisioni i Venecias vihet në lëvizje për shqyrtimin e projektligjeve apo të nismave të tjera kushtetuese nga këto institucione të shteteve anëtare të KiE-s si Parlamenti, Qeveria dhe Krerët e Shtetit (Presidenti).

Gjithashtu Komisioni i Venecias mblidhet si rregull katër herë në vit, në muajt tetor, dhjetor, mars dhe qershor. Axhenda e tyre është e planifikuar dhe diskutohet për çështjet ku i kërkohet mendimi për ndryshim ligjesh apo dhe Kushtetuta. Mendimi i tyre jepet si draft-opinione.

Duke parë që Komisoni i Venecias do të shqyrtojë në muajin tetor nismën e Balla&Hysi, nëse letra e Parlamentit apo e Qeverisë për dhënie ekspertize për nismën e ndryshimeve Kushtetuese për Vettingun në politikë, ekspertët pohuan se nisma për ndryshimin e Kushtetutës mund të shqyrtohet në muajin Dhjetor, ose në muajin Mars. Kjo gjithsesi kondicionet nga fakti nëse Parlamenti apo qeveria i drejtohet zyrtarisht “Venecias” për dhënie ekspertize.

Ndërsa nuk duhet të harrojmë gjithashtu se Kuvendi mund t’i drejtohet Venecias edhe për ndryshimet e pritshme të Kodit Zgjedhor, si rregull ato duhet të kryhen përpara mbajtes së zgjedhjeve të reja lokale, që mund të mbahen në maj ose në qershor të 2019-ës, e cila mund të trajtohet me përparësi nga komisioni i Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë