Edhe pse demokratët nuk publikuan faturën financiare për programin ekonomik, që do të zbatojnë nëse fitojnë zgjedhjet e 25 Prillit, Jorida Tabaku dhe Florion Mima, pjesë e grupit të ekspertëve të ekonomisë janë shprehur në daljet publike se gjithçka është e llogaritur. Megjithatë, si Tabaku ashtu edhe Mima janë kakofonë dhe jo bindës mbi mënyrën se si do të gjenerohen paratë për zbatimin e programit.
Në një intervistë televizive, Tabaku sqaroi se në vitin e parë të qeverisjes, buxhetit të shtetit do i shtohen 250 milionë euro në sajë të taksës së sheshtë 9%.
Ndërsa Florion Mima është shprehur se paketa e PD-së i kushton buxhetit 500 mln euro, ku gjysma e shumës, sipas tij do të sigurohet nga “prerja e duarve të korrupsionit” dhe pjesa tjetër nga “rritja ekonomike”.
Po si do luftohet korrupsioni? “Nëse nuk vjedh kryeministri, nuk vjedhin ministrat, drejtorët, etj. Të shkurajohet korrupsioni duke i kapur ata që fusin duart në arkën e përbashkët dhe duke i bërë shembull. Në të gjitha fushat ka platforma për uljen e korrupsionit. KLSH flet për 7.2 mld dollarë të keqpërdoruara. Këtu është një burim, te tenderat, koncesionet, PPP-të... etj”, tha ai.
Ndërsa dyfishimi i të ardhurave për frymë, sipas Mimës, do të mund të realizohet vetëm në fund të mandatit të dytë qeverisës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.