Futboll

Ekspertë të huaj për hetimin e Bylis-Tirana, në dosje dhe ndeshje të tjera

Ndeshja Bylis-Tirana, 2-1, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, dyshohet se është trukuar, dyshohet se ka pasur tolerim për përfitim në baste. Nëse këto dyshime vërtetohen, dy skuadrat rrezikojnë një dënim të rëndë. Rreziku është mjaft i madh për Tiranën, që po hetohet edhe për ndeshje të tjera.

FSHF-ja hapi një hetim një ditë pas ndeshjes dhe tani, sipas “Procesit Sportiv”, me anë të Komisionit të Etikës, ka bërë gati një dosje voluminoze, që do të analizohet nga ekspertë dhe videoanalistë të huaj, që ushtrojnë detyrën e trajnerit. Në fokus do të jetë sjellja e çuditshme e lojtarëve në fushë gjatë pjesës së dytë, kur rezultati nga 0-1 shkoi në 2-1. Kujtojmë që me këtë formë hetimi UEFA dënoi Skënderbeun me 10 vjet nga Kupat e Europës.

Por në hetimin për Tiranën nuk është vetëm ndeshja me Bylisin. E dyshuar është edhe ndeshja e Kupës me Besëlidhjen, ku bardheblutë fituan 5-1. Gjithashtu, hetimi përfshin edhe ndeshjen e fundit e kampionatit mes Bylisit dhe Tiranës, që mund të ketë lidhje edhe me ndeshjen e Kupës. Komisioni i Etikës ka dërguar fletëthirrje për drejtuesit e Tiranës, kapitenin, disa lojtarë, drejtuesit e Bylisit, por edhe Suad Licin, administratorin e Vllaznisë, i cili ka deklaruar se kishte dijeni për ndërhyrjet e presidentëve për ndeshjet në fjalë.

Të gjithë këta persona do të deponojnë në një seancë dëgjimore në FSHF. Nëse faktet vërtetohen, rreziku për Tiranën është vërtet i madh. Në raste të tilla, kur një skuadër përfshihet direkt apo indirekt në një ndeshje kombëtare apo ndërkombëtare, përjashtohet nga kompeticionet europiane për një vit. Në rastin konkret, përjashtohet edhe nga Kupa e Shqipërisë. FSHF-ja ka vënë në dijeni për gjithçka UEFA-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë