Lajme

Eksperimentali bëhet Teatër klasik

Gra korintjane,'dola nga shtëpia dhe po vij këtu që të mos filloni të më kritikoni. Se di shumë njerëz që i quan bota- disa pa i parë, ca duke i njohur -mburrës e krenarë; ca të tjerë prapë i quan përtacë, se këta kalojnë një jetë të qetë. Po  i drejtë s’është syri i njeriut, që pa njohur mirë shpirtin e një tjetri, veten duk’ e parë, e urren këtë, ndonëse s'ka pësuar ndonjë gjë prej tij...Medea, një nga veprat më tragjike të Euripidit, u ngjit për herë të parë në skenën e teatrit grek, në vitin 431 para Krishtit, për t’i rrëfyer botës sesa larg shkon mendja e çartur, e njeriut të verbuar prej pasionit të hakmarrjes, rikthehet në skenën e teatrit “Kujtim Spahivogli”, në lojën e aktorëve të njohur të skenës shqiptare, Luiza Xhuvani, Roza Anagnosti, Viktor Zhusti e Alfred Trebicka.

Dy aktoret, janë vlerësuar me çmime në Festivalin e Teatrit, në shtator të vitit të kaluar, për performancën e tyre në veprën, e vënë në skenë nga regjisori grek Dhimitri Milonais. Xhuvani si aktorja më e mirë për portretizimin e heroinës tragjike Medea, ndërsa Anagnosti me çmimin e karrierës, për rolin e mëndeshës. Teatri Eksperimental ka vendosur që për një mbrëmje të kthejë edhe njëherë një nga veprat më madhështore të teatrit antik grek, të tragjikut të madh dhe të fundit, të asaj tradite, Euripidin.

Tragjedia “Medea”, i mbajtur si një nga veprat thellësisht feministe ka në qendër aktin ekstrem të Medeas, e cila e fyer nga tradhtia e të shoqit, Jasonit, vendos të hakmerret duke vrarë gruan e tij të re, atë dhe fëmijët e saj, lindur nga martesa me të. Që në çastet e para, nga një prolog i gjatë, spektatori dëgjon përmbledhtazi subjektin e dramës, ndërsa nga thellësitë e pallatit dëgjohen ulërimat dhe vajtimet e Medeas. Ajo del në skenë e dërrmuar nga hidhërimi, por edhe e vendosur për të realizuar planin e saj.

Medea ishte vërtet një grua e tradhtuar dhe e fyer thellë nga i shoqi, por ishte edhe nënë. Në shpirtin e saj nis një përleshje e tmerrshme mes gruas së tradhtuar dhe nënës së dhembshur. Njëherë fiton njëra: dashuria e nënës, por menjëherë në shpirtin e saj ngre  kryet tjetra: hakmarrja. Mallëngjyese është skena e lamtumirës që u jep fëmijëve.

Sa lëkur' e butë e ftmijës sime .Sa shije më ka, fryma e këtyre! Ecni, shkoni shpejt, se më  s'kam fuqi t'ju shikoj e mjera! S'duroj më t'iu shoh, se më ka pushtuar më rrëzon e liga. Ndjej me të vërtetë ç'po guxoj të bëj, po inati qenka shumë më i fortë se gjykimi im ...

Në fund, vrau fëmijët e saj dhe u nis nga Korinti drejt  Athinës, hipur mbi një karrocë që tërhiqej prej dragonjsh me fletë që ia kishte dërguar Dielli, ndërsa Jasoni mbeti i dëshpëruar, sepse ajo nuk i lejoi as t'i përkëdhelte fëmijët për herë të fundit.

E megjithëse kalendari i teatrit e rikthen vetëm mbrëmjen e së mërkurës,  “Medean”, e cila u flet ende kohërave,  një tjetër vepër që vjen nga antikiteti dhe tragjedianët e mëdhenj grekë është “Antigona”, që vjen për të dytën javë radhazi në sallë “Moliere”. Bazuar në tragjedinë e Sofokliut, e cilësuar si më politikja e veprave të tij, që trajton problemet e përfshira në menaxhimin e një polisi, “Antigona”, e cila vjen për publikun shqiptar, është shkruar nga dramaturgu francez Zhan Anuil.

E shkruar në vitin 1942, kur trupat naziste pushtuan Francën, historia sillet rreth konfliktit të Antigonës idealiste dhe xhaxhait të saj të ngurtë, Kreonit, në lidhje me varrimin e vëllait të saj, Polinikun. Gjithashtu vepra u interpretua se përfaqësonte luftën e lëvizjes së Rezistencës franceze kundër forcave të qeverisë Vishi′ gjatë kulmit të pushtimit nazist.

Varianti i Anuil i Antigonës prek tema si tragjedia, meta-teatri, idealizmi i rinisë, kompromiset e moshës madhore, dueli mes moralit dhe politikës, si edhe zgjedhjet dhe paqartësitë e jetës në një botë komplekse jo bardhë e zi. Antigona është njëra nga seria e pjesëve dramatike të Anuil, që kanë si bazë mitologjinë greke.

I zhgënjyer dhe i tronditur nga ngjarjet e Luftës II Botërore, ai shkroi gjithashtu Euridika (1942) dhe Medea (së pari e vënë në skenë në 1937 dhe e botuar në 1946), të cilat ishin gjithashtu variante të përshtatura të klasikeve origjinale greke. Këto vepra eksploronin rolin e fatit në jetët e njerëzve. E vlerësuar shpesh si kryevepra e tij, Antigona çimentoi reputacionin e Anuil si autor dramatik. Vepra qe sukses i menjëhershëm, kur u vu në skenë së pari në Paris në vitin 1944.

Për regjisoren franceze Andrea Brusque, dramaturgu luan me kodet e tragjedisë. Me humor dhe me largësinë e kohëve, ai i ndërmend publikut se së të gjithë personazhet do të vdesin dhe kjo është e pashmangshme. Për aktoren Laura Nexha, e cila  vjen në rolin e heroinës, Antigona, vepra por edhe personazhi përcjellin mesazhe që i tejkalojnë kufijtë “Unë besoj se të gjithë ne kemi Brenda vetes një Antigonë, e cila kur zgjohet na inkurajon të bëjmë zgjedhje radikale”. Të tjerë aktorë që interpretojnë në këtë shfaqje janë  Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu,  Adriana Tolka, Endri Çela dhe  Klejdi Metaj.

Aktori Ervin Bejleri e gjen të goditur këtë shfaqje, si një prej veprave politike. “Më pëlqen që teatri të jetë goditës dhe interaktiv, sepse një shfaqje ku publiku del pa shkëmbyer një fjalë pasi e sheh për mua nuk ka kuptim”, do të shprehej aktori, i cili e ka menduar gjithnjë teatrin si politik.

Të dy heroinat tragjike, të Euripidit dhe Sofokliut, nga kritikët janë gjykuar se kanë ngjashmëri mes tyre. Si Medea, ashtu edhe Antigona eksplotohen temat e tradhtisë, pasionit, krenarisë, tragjedisë dhe dashurisë, ku kjo e fundit luan rol motivues që edhe përcakton veprimet e personazheve kryesorë tek të dy shfaqjet: i çon si Medean, ashtu edhe Antigonën të shkelin rregullat e sjelljes sociale kur e para kryen vrasje pamëshirë dhe e dyta sfidon ligjin e njerëzve, pavarësisht se e di se do t’i kushtojë jetën.

Gjithaq kritikët gjejnë  të ngjashme mes Kreonit të Antigonës dhe Jasonit të Medeas. Të dy bien pre e veprimeve të një gruaje, ndaj të cilave fillimisht mendonin se kishin kontroll të plotë. Martirizimi i Antigonës dhe konflikti me shtetin sjell shkatërrimin e Kreonit dhe vrasje e dyfishtë e Medeas dhe vrasjeve e fëmijëve i sjell atij shkatërrimit. E megjithatë sa prej këtyre pasojave vijnë përmes dobësisë së tyre dhe sa mund t’ia atribuojmë fatit? Pas mijëra vitesh tragjeditë greke, rezultojnë të jenë aq plastike sa të vijnë edhe në teatrin eksperimental, të modernizuara, ( si në rastin e Antigonës) dhe po universale, në kohë e hapësirë, duke i folur publikut modern se fati i luan fijet, tragjikisht çuditshëm!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë