Politike

Ekskluzive / Vettingu në drejtësi drejt mbarimit të mandatit. Zbulohen propozimet për vendet e reja të punës (Dokumenti)

Nga Gazeta Si - Kërkesa për ndryshimin e disa ligjeve që prekin institucionet e reja të drejtësisë tani është zyrtare. Por kushdo që ka pritur që kërkesa të vijë nga maxhoranca, duhet të bëjë një hap pas. Të paktën, tani për tani. Gazeta Si ka marrë dijeni për disa propozime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që njihet ndryshe si institucioni i vetingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve, propozime të cilat kanë për qëllim të garantojnë statusin në të ardhmen të anëtarëve të vetingut, këshilltarëve dhe personelit të institucionit.

Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që është shkalla e parë e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i mbetet më pak se një vit, deri në përfundim të mandatit më 31 dhjetor 2024. Deri atëherë, ata duan të vënë në lëvizje Kuvendin e Shqipërisë që të ndryshojë disa ligje të reformës në drejtësi për të siguruar që anëtarët e vetingut dhe Komisionerët Publikë të kenë të njëjtat garanci ligjore për karrierën profesionale si anëtarët e shkallës së dytë të vetingut. Kjo do të thotë që pas përfundimit të mandatit në 31 dhjetor 2024, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë të kenë të drejtë të emërohen gjyqtarë apeli.

Aktualisht ata trajtohen me statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, të cilët e kanë të drejtën e emërimit si gjyqtarë apeli pas përfundimit të mandatit të tyre. Po ashtu dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit të vetingut e gëzojnë këtë drejtë me ligj, ku nuk përfshihen anëtarët e KPK-së së Shkallës së Parë të vetingut dhe Komisionerët Publikë, të cilët kanë unifikuar kërkesat për ndryshimin e disa ligjeve.

Duke vlerësuar shërbimin që i kanë bërë sistemit të drejtësisë në fazën e parë dhe vendimtare të ngritjes së tij, Kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka një mesazh kryesor për vendimmarrësit. “Kontributi i anëtarëve të vetingut dhe komisionerëve  të mos shterojë me përfundimin e procesit të rivlerësimit, por ata të caktohen gjyqtarë apeli, njësoj si anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”- thotë Robert Ilia në materialin voluminoz që ka nisur për disa institucione.

Ky dokument ka shkuar që në dhjetor në adresë të Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit, Ministrit të Drejtësisë, përfaqësuesve diplomatikë të SHBA dhe BE, si dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Deri tani nuk ka asnjë reagim nga ndonjë palë e përfshirë, por ligjet që kërkohet të ndryshohen janë ligje me shumicë të cilësuar. Dy vjet më parë, në shkurt 2022, me kërkesë të SHBA, PD ra dakord të bashkojë votat me PS, që të shtyjë mandatin e komisionit të vetingut me 2 vjet, por në një parlament kaotik, një konsensus i ri duket i vështirë.

Konsensusi duhet të përfshijë dhe kategoritë e tjera, pjesë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, këshilltarët ligjorë dhe stafin administrativ. Njësia e Shërbimit ligjor, aktualisht, është me 36 këshilltarë me përvojë nga sistemi i drejtësisë, avokatia, sistemi bankar. “Ata kanë krijuar fizionomi të ngjashme me profesionistët e sistemit të drejtësisë dhe përthithja e tyre do të ishte një vlerë e shtuar për sistemin. Ata janë kontrolluar dhe u janë kufizuar të drejtat e fshehtësisë së komunikimeve njësoj si anëtarëve të vetingut. Këshilltarët ligjorë kanë rol kyç në përgatitjen e dosjeve, që nga hetimi i rasteve, tek opinioni për punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve deri tek hartimi i projektvendimit për ta me orientimin e komisionerit - rendit si argumente kryetari i KPK-së për të bërë propozimin tjetër. Ndryshim në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që këshilltarëve të KPK-së t’u njihet e drejta për t’u bërë pjesë e sistemit të drejtësisë, duke vazhduar karrierën në gjyqësor ose prokurori.

Me argumentin se përzgjedhja e tyre kaloi në filtra edhe më të fortë sesa kërkon ligji për Shkollën e Magjistraturës, propozohet që të gjithë këshilltarët ligjorë që kanë ushtruar detyrën jo më pak se 5 vjet në Komision, pas mbarimit të mandatit, të kenë të drejtën të pranohen në Shkollën e Magjistraturës për gjyqtar ose prokuror pa iu nënshtruar konkurrimit dhe me kohëzgjatje vetëm 1 vit, për shkak të përvojës së tyre të pasur. 

Ndërsa një propozim tjetër ndryshon ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Një ligj që SHBA e kanë shumë problem ta prekin, pasi ky është ligji i SPAK-ut dhe konsiderohet se prekja e tij mund të hapë kutinë e Pandorës. Megjithatë, propozimi thotë që  “Këshilltarët që kanë eksperiencë pune për më shumë se 4 vite në KPK, emërohen hetues pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit pa iu nënshtruar procedurave përzgjedhëse të rekrutimit.”

Gjithashtu, kërkohen edhe ndryshime në ligjin për nëpunësin civil për të garantuar stafin administrativ. Ky ndryshim u jep mundësinë atyre që të aplikojnë si personel i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Prokurorisë. Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, administrata e të cilëve është bërë pjesë e shërbimit civil.

Deri në dhjetor 2023, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rivlerësuar 718 nga 805 subjekte gjithsej që janë në listën e vettingut, ndërsa 10%shin e mbetur beson se e përfundon përpara dhjetorit 2024. Pas më shumë se 6 vitesh, i jepet fund kështu një prej proceseve më të vështira, më të monitoruara, më delikate dhe shpeshherë të kontestuara të vettingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri. I jepet fund për trupën ekzistuese, pasi procesi i vettingut vazhdon për të rinjtë që duan të hyjnë në sistem nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë