Nga Gazeta Si- Një tjetër rast mashtrimi dhe zhvatjeje në grup teksa hiqeshin si zyrtarë të lartë shtetërorë ka ndodhur në Himarë,
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Notification”, për “goditjen e një rasti të mashtrimit të operatorëve ekonomikë”, duke tentuar të merrnin 8 mijë euro nga një biznesmen vendor që i denoncoi.
Tre persona ranë në pranga, mes të cilëve një çift bashkëshortësh dhe bashkëpunëtorja e tyre.
I gjithë aksioni u bë me dorëzim të kontrolluar nga agjentët, duke i futur të dyshuarit në kurth.
“Ndërhyrja u bë pas denoncimit nga administratori i një subjekti tregtar në Himarë, se i kishin kërkuar një shumë parash, gjatë komunikimeve në aplikacionin “Signal”. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit: S. D., 30 vjeçe dhe K. D.(K.), 32 vjeç (bashkëshortë), dhe D. V., 27 vjeçe, të tre banues në Vlorë”, tha policia vendore.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se pasi kanë kontaktuar biznesmenin nëpërmjet një numri telefoni, të regjistruar si numër kontakti i një zyrtari, në aplikacionin “Signal”, kanë rritur edhe besueshmërinë e kërkesave të tyre, për të përfituar shumën prej 8 000 euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 4 celularë, teksa vijon hetimi aktiv për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.