Nga Gazeta Si- Muhamet Rrumbullaku dhe drejtuesit e qarqeve do largohen nga detyra, duke i lënë stafetën një gjenerate të re drejtuesish. Këtë e njoftoi Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në një konferencë për shtyp.
Në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm falënderoi drejtuesit, me në kryer Rrumbullakun, duke shtuar se pret që të larguarit të mos kursejnë dijen dhe përvojën e tyre.
“Dua të përgëzoj sinqerisht punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin dhe sot mikun tim, Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit.
Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.
Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, tha Hoxha.
Ai tha se është thirrur në detyrë pa e menduar ndonjëherë se mund të ishte një ditë Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, duke qenë se sipas tij, ka plot të tjerë që mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin e tij, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore.
“Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë. Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Hoxha, duke shtuar se drejtuesit e rinj do të zgjidhen në javët në vijim.
“Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit”.
Në bazë të ligjit të sapomiratuar të Policisë së Shtetit ka dalë dhe udhëzimi për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.
Hoxha ftoi të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.